Mediat të jenë më të kujdesshme gjatë raportimit për ekstremizmin fetar

Mbështetur nga Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Qendra për Studime të Sigurisë organizoi sot debat në Mitrovicë për rolin e mediave në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Lajme

06/10/2015 19:53

Gazetarët kosovarë duhet të jenë të kujdesshëm kur raportojnë për çështje që kanë të bëjnë me radikalizmin dhe ekstremizmin fetar, u tha sot në një tryezë me gazetarët rajonalë të Mitrovicës dhe Vushtrrisë.

Në tryezën e organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), e mbështetur nga Zyra e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë (EUSR) u diskutua rreth sfidave të gazetarëve në raportimin në çështje të ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë, fenomen i cili ndikoi në pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës, si luftëtarë të huaj, në luftën e Sirisë dhe Irakut. Diskutuesit në tryezë dhanë ide për qasjen që mediat duhet të kenë ndaj kësaj dukurie.

Skënder Perteshi nga Qendra për Studime të Sigurisë së Kosovës u shpreh se organizimi i këtij debati është bërë me qëllim që të jetë si kundërpërgjigje ndaj komunitetit mysliman i cili në takimet e mëhershme dhe debatet të cilat ka organizuar me temën e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, mediat janë cilësuar si faktorë nxitës për ekstremizëm.

Perteshi tha se mediat kanë rol të rëndësishëm në krijimin e opinionit publik. Florie Ademi, gazetare tha se mediat duhet të jenë më të përgjegjshme dhe të balancuara, ndërsa gazetarët duhet të jenë më të profilizuar në raportimet për çështjet e religjionit. Në debat u tha gjithashtu se është e nevojshme edhe profilizimi i gazetarëve të cilët merren me tematikën e ekstremizmit dhe të informohen më shumë rreth çështjeve religjioze.

Ky aktivitet është pjesë e projektit të mbështetur nga Zyra e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë: “Rrëfimi i dy qyteteve: Radikalizmi dhe Kundërpërgjigja në Vushtrri dhe Mitrovicë”, qëllimi i të cilit është rritja e aktivizmit dhe vetëdijesimit qytetar në parandalimin e përhapjes së ekstremizmit, si dhe kontributi në kundërpërgjigjen ndaj përhapjes së propagandës së grupeve ekstremiste në Kosovë.