10 vjet punoi si polic duke shfrytëzuar dokumentet e vëllait binjak, dënohet nga gjykata në Pejë

Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, e ka dënuar me një vit burgim me kusht dhe 600 euro gjobë, të akuzuarin për mashtrim, Bujar Rexhaj.

Lajme

29/05/2019 14:26

Dënimi me burgim, të akuzuarit nuk do t’i ekzekutohet, nëse në periudhë verifikimi prej dy vjetësh nuk kryen vepra tjera penale.

Gjykatësi Arben Mustafaj tha se i pandehuri po ashtu obligohet në shpenzimet procedural në shumën prej 70 euro.

Sipas aktgjykimit të shpallur, të pandehurit po ashtu i shqiptohet dënim plotësues, dhe atë ndalim i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej tre vjetësh.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të mërkurën, nga gjykatësi Arben Mustafaj, pasi i akuzuari Rexhaj pas konsultimit me mbrojtësin e tij, e ka pranuar fajësinë për veprën penale të mashtrimit.

“Është hera e parë që bie ndesh me ligjin, jam penduar për rastin dhe shprehi keqardhje të thellë për rastin”, ka thënë i pandehuri Rexhaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërkaq, mbrojtësi i të pandehurit, avokati Gëzim Baloku ka kërkuar nga gjykata që pranimin e fajësisë së klientit të tij ta aprovojë në tërësi, duke kërkuar nga gjykata që me rastin e marrjes së vendimit mbi dënim, pranimin e fajësisë të pandehurit t’i merret rrethanë lehtësuese.

Nga ana tjetër, prokurori Arben Hoti ka kërkuar nga gjykata që i pandehuri të dënohet sipas ligjit, dhe t’i shqiptohet dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksioneve në administratën publike.

“Po ashtu kërkoj nga gjykata që të pandehurin ta obligojë në përmbushjen e shpenzimeve procedurale, ndërsa lidhur me shumen e dëmit të shkaktuar për këtë, të dëmtuarën ta udhëzoi në kontest civil”, ka thënë prokurori Hoti.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzë më 26 mars 2019, duke e ngarkuar të pandehurin Rexhaj, me veprën penale të mashtrimit.

Në aktakuzë thuhet, se i pandehuri që nga fundi i vitit 2004, e deri më 8 maj 2014, fillimisht në shkollën e shërbimit policor në Vushtrri, duke vazhduar në stacionin policor në Istog, në vazhdimësi me anë të paraqitjes së fakteve të rrejshme, e me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, e ka mashtruar dhe mbajtur në lajthim punëdhënësin e tij, respektivisht Policinë e Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Bujar Rexhaj, së bashku me vëllain e tij binjak, Burim Rexhaj, në fund të vitit 2004, fillimisht aplikojnë në konkursin publik, për pozitën e zyrtarit të sigurimit në Policinë e Kosovës, e ku në fund të procedurës së konkurrimit arrin që të pranohet vetëm Burim Rexhaj.

Tutje, sipas aktakuzës, me rastin e paraqitjes para organit kompetent për të nënshkruar kontratën, dhe për të filluar procedurën e trajnimit, aty është paraqitur i pandehuri Bujar Rexhaj, i cili duke e shfrytëzuar ngjashmërinë me vëllain e tij binjak Burimin, si dhe duke e shfrytëzuar dokumentacionin personal të tij, paraqitet para organit kompetent, me ç’rast nënshkruan kontratën, ku edhe i krijohet kartela identifikuese zyrtare me fotografi dhe numër të tij, por me emër të vëllait të tij, Burimit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, nga aty i pandehuri fillon punën si zyrtar i sigurimit në Policinë e Kosovës gjerë në vitin 2012, ku të njëjtit i jepet mundësia që të kalojë si zyrtar policor, ashtu që këtë funksion e ushtron deri më 8 maj 2014, kur edhe ka dhënë dorëheqje.