1 mijë e 400 kosovarë riatdhesohen nga Gjermania
Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani njofton që dje dhe sot janë realizuar edhe dy fluturimet e fundit të Posaçme nga Düsseldorfi dhe Stuttgarti me shtetas të Kosovës të cilët kanë qenë pjesë e listave emergjente për riatdhesimin në Kosovë.

Lajme
“Si Misioni më i madh i Kosovës me numrin më të madh të bashkëkombësve që jetojnë dhe punojnë në Gjermani jemi ballafaquar me kërkesat më të shumta për riatdhesim. Kemi punuar ditë e natë që t’i informojmë dhe t’u shërbejmë shtetasve. Respektimi i ligjit dhe komunikimi me shtetasit kanë qenë moto e punës sonë- edhe kur kemi arritur të ndihmojmë por edhe atëherë kur nuk kemi mundur të realizojmë kërkesat. Për të gjithë shtetasit kam vetëm një mesazh: faleminderit për durimin!”, ka thënë Ambasadori Beqë Cufaj.
Ambasadori ka shprehur falënderime të posaçme për gjithë stafin diplomatiko konsullur të Kosovës në Stuttgart, Düsseldorf, Munih, Frankfurt, Hamburg dhe Berlin për angazhimin e jashtëzakonshëm në muajt e pandemisë. “Një falënderim shkon edhe për Qendrat Emergjente të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe para së gjithash të Qendrave Operative Emergjente të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë”.
Në bazë të të dhënave të Ambasadës së Kosovës, nga Gjermania në muajt e pandemisë janë riatdhesuar rreth 1400 shtetas të Kosovës. /Lajmi.net/