1.8 milion vëzhgues

Fondacioni për Shoqëri të Hapur në bashkëpunim me Demokracinë në Veprim hapën fushatën “Vëzhgo dhe voto”, me qëllim që të nxisin qytetarin të lajmëroj për çdo parregullsi në ditën e zgjedhjeve.

Lajme

22/10/2013 12:44

Fondacioni për Shoqëri të Hapur në bashkëpunim me Demokracinë në veprim sot kanë hapur fushatën “Vëzhgo dhe voto”.

Me këtë nismë, organizatat e shoqërisë civile synojnë t`i nxisin qytetarët që në ditën e zgjedhjeve të lajmërojnë çdo parregullsi.

Luan Shllaku nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur në një konferencë për media ka thënë se qëllimi i kësaj fushate është vetëdijesimi i qytetarëve që të raportojnë për parregullsitë e mundshme në ditën e zgjedhjeve.

“Krahas mesazhit “Dil e Voto” sepse është e rëndësishme të kemi sa më tepër votues, ne do të shkojmë edhe me mesazhin vëzhgo çdo parregullsi të cilën e shihni në vend votime”.

“Ditën e zgjedhjeve secili abonent, e që janë gati 1 milion e gjysmë, do të marrin një mesazh ku do të thuhet se dilni dhe votoni sepse vetëm kështu do të ndërtohet demokracia kosovare, dhe pasi që dalin le t`na dërgojnë një sms falas në rast se shihni çfarëdo parregullsie”.

“Ne do t`i kemi votuesit në funksionin e vëzhguesve dhe si vëzhgues ata janë të ftuar që të dërgojnë sms falas në një qendër që ne e kemi përgatitur që në mënyrën më të mirë në kohë reale t`i tregojmë rezultatet e raporteve të tilla”.

“Të gjithë votuesit i ftojmë që në numrin 50088 të dërgojnë sms falas për të gjitha parregullsitë eventuale që i shohin atë ditë”.

Gjithashtu në ditën e votimit do të krijohen qendra të përpunimit të dhënave për të informuar në rast abuzimesh por gjithashtu rrjedhën e procesit zgjedhor.

Të gjithë sms që do të dërgohen, sipas Shllakut, do të jenë falas një gjë të tillë e kanë mundësuar tri kompanitë e telefonisë mobile në vend.

Ndërsa Ismet Kryeziu nga Demokracia në Veprim ka deklaruar se kjo fushatë ka për qëllim që qytetari i cili do të votojë, të sigurohet që vota e tij është valide.

“Përmes kësaj kampanje, përmes këtyre aktiviteteve, dëshirojmë ta nxisim këtë qytetar i cili do të votojë dhe do të vëzhgojë dhe do të sigurohet që vota e tij është valide, është numëruar saktë dhe është votuar lirë”.

“Ky mesazh, kjo iniciativë, kjo mënyrë tenton ta ngrisë nivelin e qytetarit me nivelin aktiv jo vetëm të vëzhguesit jo vetëm të votuesit por në ruajtjen dhe përgjegjësinë e tij ndaj procesit zgjedhor”, tha Kryeziu.