Klopp kundër Ligës së Kombeve

Jurgen Klopp i ka kërkuar presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin që të heqë dorë nga Liga e Kombeve, pasi zbuloi se ata kanë shkëmbyer mesazhe mbi ndarjen e biletave të Liverpool-it për finalen e Ligës së Kampionëve.

Sport

13/05/2022 15:33

Ceferin kontaktoi Klopp në përgjigje të kritikave të trajnerit gjerman për numrin e biletave në dispozicion dhe çmimet për përballjen me Real Madridin në Paris.

Stade de France ka një kapacitet prej 75,000 personash, por  finalistëve u janë dhënë vetëm 20,000 bileta. Ato variojnë në çmim nga 70  deri në 690 euro.

Ceferin shpjegoi se klubet marrin 93.5 për qind të të ardhurave nga finalja, por Klopp u përgjigj duke thënë se ai do të preferonte që UEFA të merrte një pjesë më të madhe të parave nëse kjo do të thoshte se ata mund të bënin më shumë bileta në dispozicion për tifozët dhe të mbyllnin Ligën e Kombeve.

“Po, isha unë”, pranoi Klopp kur u pyet nëse Ceferin kishte kontaktuar me të, transmeton lajmi.net.

“Ne në fakt nuk folëm, ai më dërgoi mesazhe. Padyshim që thashë atë që thashë se si duhet të ketë më shumë bileta për tifozët. I thashë se arsyeja pse nuk jam në humor aq të mirë kur flas për UEFA-n është për shkak të Ligës së Kombeve. Unë ende mendoj se kjo është një nga idetë më qesharake në botën e futbollit. Tani ne përfundojmë një sezon ku lojtarët kanë luajtur më shumë se 70 ndeshje – 63 ndeshje klubesh plus ndeshjet ndërkombëtare. Është vërtet e çmendur”, tha ai.

“Do të preferoja që UEFA të merrte më shumë para nga finalja e Ligës së Kampionëve dhe të përjashtonte Ligën e Kombeve. Kjo do të ishte zgjidhja ime e preferuar.  Do të kishte më shumë bileta për njerëzit. Ky është mendimi im personal”, përfundoi ai.

Në fillim të kësaj jave, UEFA konfirmoi formatin e ri të Ligës së Kampionëve, i cili do të ketë rregulla të reja  për klubet nga edicioni 2024-2025.

E as kjo duket se nuk i ka pëlqyer gjermanit i cili tha se nuk është ide e mirë që të ketë më shumë lojë në këtë kompeticion. /Lajmi.net/