​Xhafer Tahiri ia dorëzoi detyrën Ferit Idrizit

Xhafer Tahiri në një ceremoni ia ka dorëzuar detyrën kryetarit të ri të Vushtrrisë, Ferit Idrizi. Ky i fundit premtoi se do t’i përfundojë të gjitha projektet e mbetura në gjysmë.

Lajme

06/12/2021 10:44

Ish-kryetari i kësaj komune, Xhafer Tahiri pas dorëzimit të detyrës, i uroi Idrizit suksese në qeverisjen e tij, duke thënë se kryetari i tanishëm do ta ketë mbështetjen e tij të plotë.

“Sot po bëjmë pranim dorëzimin e detyrës. Po ashtu, edhe të projekteve. Më lejoni t’iu njoftoj që iu dorëzoj planin e rimëkëmbjes ekonomike të komunës së Vushtrrisë. Është një projekt i aprovuar nga kuvendi i komunës, projektin e tregut për prodhuesit vendor, projektin e Sahat Kullës, studimin e fizibilitetit për prodhuesit vendor, gjithashtu edhe projektin e kontratave të nënshkruara, projekte që janë të vazhdueshme, duke përfshi edhe memorandumet që i kemi me ‘Jetimat e Ballkanit’, shtëpinë për të moshuar, kontratat e tjera. Draft buxhetin e vitit 2022, raportin e kontratave të realizuara deri më tani dhe këto që janë në vazhdim dhe të uroj sukses shëndet dhe punë të mbarë në interes të qytetarëve të Vushtrrisë”, ka thënë ai.

Kurse, kryetari i ri i Vushtrrisë, Ferit Idrzi ka falënderuar Tahirin për punën e tij katër vjeçare, duke premtuar se do t’i përfundojë projektet e lëna në gjysmë.

“Faleminderit kryetar për angazhimin tuaj gjatë qeverisjes katër vjeçare në një periudhë me të vërtetë me shumë sfida për shkak edhe të situatës së pandemisë. Është e natyrshme që me përfundimin e mandatit ajo që e vazhdon janë projektet dhe unë do t’i vazhdojë të gjitha këto projekte të cilat kanë mbet pa u përfunduar. Gjithsesi këshillat, bashkëpunimi i juaj i ndihmon qytetarëve të Vushtrrisë dhe mua personalisht në detyrën e kryetarit. Edhe një herë dua t’iu falënderoj për këtë dorëzim të detyrës me këtë protokoll, ashtu qysh na ka hije neve, ashtu siç e duan qytetarët e Vushtrrisë, ashtu siç e donë demokracia”, ka shtuar Idrizi.

Kryetari i Vushtrrisë aktualisht po bën betimin e tij para asamblistëve të rinj të komunës por edhe para qytetarëve.