​Thaçi krijon urdhrin “Adem Demaçi”, do t’u ndahet personaliteteve që shquhen për qëndresë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në nderim të kontributit të veprimtarit të njohur të çështjes kombëtare Adem Demaçi, ka vendosur të krijojë urdhrin “Adem Demaçi”.

Lajme

10/08/2020 15:19

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se ky urdhër do t’u ndahet personaliteteve të vendit tonë që shquhen për qëndresë dhe vetëdije të lartë kombëtare.

Postimi i plotë:

Jashtëzakonisht krenar që Kosova e pavarur është ndërtuar mbi themele të forta që janë vendosur nga veprimtaria e atdhetarëve të shquar, siç është Adem Demaçi. Shteti ynë është shtëpi e gjeneratave të reja, që punojnë pandalshëm për t’i lartësuar vlerat që i besuam dhe për të cilat sakrifikuam shumë.

Në nderim të përjetshëm të kontributit të pashembullt të Adem Demaçit, si president i vendit kam vendosur të krijoj urdhrin “Adem Demaçi”. Ky urdhër do t’u ndahet personaliteteve të vendit tonë që shquhen për qëndresë dhe vetëdije të lartë kombëtare. HTH