​Thaçi: Kosova meriton sa më shpejt të jetë pjesë e NATO-s

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka organizuar pritje shtetërore me rastin e 12-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Lajme

17/02/2020 19:02

I pari i vendit tha se sa herë që organizohen evente të tilla, kujtojmë heronjtë, dëshmorët, veteranët e luftës dhe qytetarët e Kosovës që dhanë gjithçka për çlirimin e Kosovës.

Ai përmendi edhe liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Interpol dhe UNESCO, duke shtuar se Kosova do të jetë pjesë e NATO-s.

“Sot në 12 vjetorin Kosova është më e konsoliduar edhe në rrafshin ndërkombëtar. Na presin përgjegjësi të jemi më efektiv në punë, në rrafshin politik të vendit. Sot po shënojmë 12 vjet shtet. Kosova është e njohur nga 100 shtete apo më tepër është e anëtarësuar 200 vende ndërkombëtare. Prandaj para nesh shtrohen obligime të mëdha që Kosovës t’i ndodh liberalizimi i vizave dhe i ka përmbushur të gjitha kriteret për këtë. Objektiv e gjithë neve është të jemi sa më shpejt pjesë e NATO-s. Tërë ky angazhim do të vazhdohet nga të gjithë dhe një klimë më të mirë pozitë opozitë”, tha Thaçi.

Thaçi tha se po kalojnë 21 vjet qëkur Kosova e fitoi lirinë dhe 12 vjet pavarësi që u ndërtua me sakrificë.

Të pranishëm në ceremoninë e pritjes shtetërore ishin kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti me kabinetin e tij qeveritar, deputetë të Kuvendit dhe mysafirë nga ambasadat e huaja në vendin tonë./Lajmi.net/