​Skenderaj ia bën si Mitrovica dhe Vushtrria, të dielën nuk punohet

Komuna e Skenderajt ka vendosur që nga 1 marsi e diela të jetë ditë pushimi për subjektet afariste.

Lajme

21/02/2020 16:59

Sipas kryetarit të kësaj komune Bekim Jashari ka thënë se përjashtim bëjnë dyqanet ushqimore të cilave u lejohet të punojnë edhe të dielave deri në orën 11:00, kafiteritë, restaurantet, furrat e bukës, sallonet e ondulimit si dhe pikat e shitjes së derivateve të naftës të cilat do të vazhdojnë të punojnë me orar të rregullt siç kanë punuar deri më tani.

“Komuna e Skenderajt, me qëllim të zbatimit të Ligjit të Punës, mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve në sektorin privat, nga data 1 mars do të fillojë së zbatuari Rregulloren Komunale mbi orarin e punës në fushën e tregtisë, hotelerisë, zejtarisë dhe shërbimeve tjera.

Në bazë të kësaj rregulloreje komunale e diela do të jetë ditë pushimi për shumicën e subjekteve afariste në territorin e komunës tonë” , thuhet në njoftimin e komunës.

Me këtë rast Komuna e Skenderajt, Inspektorati Komunal, kërkon mirëkuptim nga të gjitha bizneset dhe po ashtu kërkon nga ta që kjo rregullore të respektohet, ndryshe për mos respektimin e kësaj rregulloreje pason gjoba sipas legjislacionit ne fuqi.

Më herët këtë vendim e kanë marr komuna e Mitrovicës dhe ajo e Vushtrrisë./KosovaPress/