​Scholes tregon dy skuadrat që mund ta përballojnë transferimin e Haaland

Manchester United dhe Chelsea janë dy skuadrat e vetme që mund ta përballojnë transferimin e Erling Haaland këtë verë, ka thënë legjenda e Manchester United Paul Scholes për “BT Sport”.

Sport

10/04/2021 08:25

Po ashtu, ish-ylli i “Djajve të Kuq” tregoi që Haaland është tipi i sulmuesit që i duhet Solskjaer, dhe se duhet të bëjë çdogjë që ta transferojë atë në “Old Trafford”, përcjell KosovaPress.

“Natyrisht që Haaland është sulmues i kalibrit të lartë, apo jo? Këta lloje të lojtarëve, a do të vinë tek Manchester United në këtë pikë që jemi? A mund United ta përballojë klauzolën e tij? Unë mendoj që po, por mendoj që është vendimi i tyre për klubin që ata zgjedhin. Haaland është një lojtar që United e do me çdo kusht, një lojtar që Chelsea e do me ngulm. Këto dyja ndoshta janë dy klubet e vetme që mund ta përballojnë klauzolën e tij të lartë”, shtoi legjenda angleze.

Raportohet se shumë klube janë të interesuara për shërbimet e yllit të Dortmundit, përfshirë këtu Manchester United dhe Chelsea, por mbetet të shihet nëse do të bëjnë ndonjë lëvizje gjatë afatit kalimtar të transferimeve në verë, pasi që shuma që skuadra gjermane e kërkon për Haaland kap shifrën prej 150 milionë eurosh.