​Reshitaj: Për Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar u fol shumë, u bë shumë pak

Deputetja e Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njëherit Kryetare e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Albena Reshitaj, ka thënë se sot për Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar në Kosovë u fol shumë, por u bë shumë pak.

Lajme

03/12/2020 23:52

“U fol edhe sot edhe dje…dhe gjithe kjo retorikë e asaj çfarë duhet të bëjmë mbetet nën hije nesër.

Mendoj që nëse flasim sot për dje, e para që duhet të flitet është të kërkohet llogaridhënie mbi atë pse nuk u bë sa duhet, ku ishte gabimi, çfare na ndaloi të bënim më shumë, a mos pavetëdija apo..?! Vetëm nëse i gjejmë keta mekanizma dështues, tek atëherë mundemi me të vërtetë të ndryshojmë për të vepruar drejt dhe si duhet”, është shprehur Reshitaj përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.

Reshitaj, tutje, ka dhënë edhe disa shembuj real të ditëve të sotme

“Po ua jap vetëm një shembull real të ditëve të sotme: Familjet tona që kanë fëmijë me nevoja të veçanta janë të parat që mezi presin mundësinë e parë të ikin jasht vendit me te vetmen shpresë për mirëqenie më të mirë për ta! Kjo tregon sa kemi bërë e sa kemi punuar drejt në kete drejtim.

Të drejtat e personave me nevoja të veçanta janë ende në letër ndonëse kanë nevoje të domosdoshme implementuese, te drejta këto të arsyeshme dhe të bazuara në të drejtat që ju takojnë me ligj.

Bazuar në 17 Objektivat e Këshillit të Zhvillimit të Qëndrueshëm të dalura nga OKB dhe të pranuara nga Kuvendi i Kosovës e që duhet të përmbushen, personave me aftësi të kufizuara ju sigurohet qasje dhe mundësi e barabartë në arsim, shëndetësi, punësim, siguri, ekonomi, politikë, shërbimet publike, kulturore e sportive”, ka shkruar ajo.

Ajo njëherit u ka bërë thirrje për institucionet publike e private, që të merren seriozisht me nevojat e kësaj kategorie duke punuar që të trajtohen me dinjitet e prioritet.

“Pandemia dhe izolimi është përvoja e mësimi më i madh që ne kem mund ta përjetojmë secili për dy javë nga bota e tyre në përvojën tonë individuale. Prandaj unë nuk do flas sot, por do veproj menjëherë nesër. Ky është misioni i secilit nga ne që të mos pësojmë edhe më shumë nesër në qasje ndaj kësaj kategorie, por edhe të tjerave që kanë nevojë aq shumë për kujdesin e dorën e shtetit”, ka shtuar Reshitaj.