​Punëtorët e Llamkosit protestë para AKP-së, kërkojnë borxhet

Një grup i punëtorëve të fabrikës “Llamkos” të Vushtrrisë kanë nisur një protestë para Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për të kërkuar kështu rrogat që i ka borxh ky institucion punëtorëve.

Lajme

10/03/2016 14:35

Ata, po e mbështesin këtë kërkesë në një vendim të vitit 2013 pas likuidimit të ndërmarrjes dhe ky vendim që nga atëherë është pozitiv për punëtorët e kësaj fabrike.

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të kësaj fabrike, Enver Isufi, tha para mediave që AKP u ka borxh rreth 1 milion e 720 mijë euro 478 punëtorëve.

“13 muaj kemi punuar pa paga, kurse pas likuidimit të ndërmarrjes kemi paraqitë kërkesën dhe kemi vendimet AKP-ja që i ka lëshu pozitive për të gjithë punëtorët. Po brengosemi ne në atë mënyrë që nuk po e paguan atë borxh. 1 milion e 720 mijë euro, për 478 punëtorë… Po presim që të na takojë dikush. Të shohim si po zhvillohet biseda me AKP. Do të vazhdojmë protestën derisa të merret një vendim nga AKP”, tha Isufi.

Ndërsa nënkryetari i kësaj sindikate Ragip Hasani, tha se deri më tani kanë pritur për shkak që bordi i AKP-së nuk ka qenë i krijuar, ndërsa tash ai bord është krijuar dhe sipas Hasanit nuk ka arsye të bllokohen parat e tyre.

“Ka qenë arsyetimi derisa të formohet bordi i AKP-së. Bordi i AKP-së e dini edhe ju gati një vit ka zgjat derisa është formuar, pas viti të ri është formuar dhe prapë ka neglizhencë. Ne jemi të vendosur edhe për paga dhe për punë, para fabrikës me protestu prej të hënës, mezi kemi mbledh të holla për me ardh këtu….Po, edhe para Qeverisë”, tha Hasani.

Gjatë kohës së protestës krerët e sindikatës së punëtorëve zhvilluan një takim me bordin e AKP-së, takim ky që për sindikalistët nuk solli rezultate të mira. AKP sipas nënkryetarit Hasani u ka premtuar që për disa mua j kërkesat e tyre do të zbatohen por një gjë të tillë, Hasani tha se nuk po e besojnë.

Punëtorët e Llamkosit po vazhdojnë ende duke protestuar para Agjencionit Kosovar të Privatizimit. Ata janë të vendosur që të mos largohen nëse AKP nuk ua sjell një dokument me nënshkrim të datës së dorëzimit të pagave.

Nënkryetari i sindikatës Ragip Hasani tha se punëtorët do të vazhdojnë protestën edhe para Qeverisë derisa këtu të merret një vendim./kp