​Polici humbi jetën gjatë një aksioni antidrogë

Në mbrëmjen e sotme ka humbur jetën një pjesëtar i Policisë së Kosovës, janë plagosur dy policë të tjerë dhe një i mitur.

Lajme

28/01/2020 23:49

Aksidenti fatal ka ndodhur deri sa njësitë e Policisë së Kosovës ishin duke kryer një aksion bastisje dhe kërkimi antidrogë në fshatin Zhur të Prizrenit.

ka ndodhur një shpërthim, ku nga plagët e marrua ka humbur jetën një polic, identiteti i të cilët është i njohur për redaksinë, ndërsa plagë kanë marrë dy policë të tjerë si dhe një i mitur i familjes ku ka ndodhur shpërthimi.

Togeri Shaban Osmanollaj, zyrtar për informim në Drejtorinë Rajonale në Prizren, ka theksuar se Njësia e Specializuar e Antidrogës, bashkë me Njësinë Speciale, po kryenin një urdhër kontrolli në një shtëpi në fshatin Zhur.

“Njësia e Specializuar e Antidrogës bashkë me Njësinë Speciale, të cilët po kryenin një urdhër kontrolli, bastisje, në një shtëpi në fshatin Zhur,  në atë moment ka shpërthyer një mjet eksplodues i pa identifikuar dhe për fat të keq një polic ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa dy kolegë të tjerë janë lënduar. Aktualisht të lënduarit janë në Spitalin e Prizrenit, duke u trajtuar aktualisht nga emergjenca e spitalit. Gjithashtu edhe në shtëpinë ku kanë kryer bastisjen, është lënduar një fëmijë i moshës rreth 8 vjeçar, me lëndime të lehta.  Policia derisa po kryenin kontrollin dhe bastisjen, aksidentalisht kanë hasur në mjetin shpërthyes, që fatkeqësisht ka pasur pasoja fatale. Ne kemi ndalur dhe arrestuar pronarin e shtëpisë, i cili edhe ka qenë pësoni i dyshimtë në këtë rast”, ka theksuar togeri Osmanollaj, raporton KosovaPress.

Njëri nga policët e plagosur është duke u trajtuar në QKUK, kurse tjetri polic dhe fëmija janë duke u trajtuar në Spitalin e Prizrenit. /Lajmi.net/