​Paralajmërohen masa edhe ndaj kompanive të tjera publike

Oda Ekonomike shprehet skeptike për ‘kthjellje’ të ndërmarrjeve publike, ndërsa, Klubi i Prodhuesve të Kosovës deklaron se duhen reforma radikale në aspektin e funksionimit të ndërmarrjeve publike.

Lajme

22/02/2020 13:34

E derisa përfaqësues të shoqërisë civile, shprehen për KosovaPress, se vendimet e fundit të Qeverisë së re për shkarkimin e bordit të Telekomit, janë të ngutshme, pa u formuar ndonjë komision qeveritar ose parlamentar, Qeveria paralajmëron masa edhe ndaj kompanive të tjera publike.

Në mbledhjen e fundit të kësaj qeverie, është bërë shkarkimi i bordit të Telekomit të Kosovës, me arsyetimin se nuk është përmbushur plani i biznesit, janë krijuar shpenzime të tepërta, punësime, gradime pa kriter, etj.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë për KosovaPress, se secila qeveri ka ardhur me vullnetin dhe premtimin se do të merret me ndërmarrjet publike, por në fund k a dalë që në shumë rrethana kanë qenë shpenzim shumë i madh i energjisë për secilën qeveri që është marrë me këto ndërmarrje pa një plan.

Kreu i OEK thotë po ashtu se qeveria e re duhet të ketë një plan, për këto kompani të cilat mbijetojnë dhe janë bërë barrë për Qeverinë.

“Jam skeptik për ‘kthjellje’ të ndërmarrjeve publike. Duhet ristrukturim i qartë, vendime të guximshme për ulje të shpenzimeve operative, që nuk mund të ndodhin edhe pa prekje të interesave të ndryshme që janë në këto ndërmarrje publike, qoftë edhe numrit të të punësuarve. Dhe nuk e di sa kjo qeveri mund të merr vendime të tilla, për shkak se aty ka një sensitivitet të lartë që lidhet edhe me numrin e punëtorëve dhe që lidhet normalisht me mënyrën se qysh kanë funksionuar këto ndërmarrje deri tash”, thotë Rukiqi.

Kreu i OEK thotë se Tel ekomi i Kosovës mbetet një ‘elefant i madh në dhomë’ për qeverinë, sa i përket adresimit të problemeve të mëdha në këtë kompani.

“Andaj, duhet një plan i qartë se çka duhet me bërë me ndërmarrjet publike, të cilat në shumicën e rasteve po mbijetojnë prej subvencioneve, një pjesë e madhe e tyre. Kemi rastin, ose ‘elefantin e madh në dhomë’, sa i përket ndërmarrjeve publike, që është Postë-Telekomi, i cili realisht është në një gjendje jashtëzakonisht të vështirë dhe duhet shpejtësi, edhe duhet mençuri në vendimarrje sa i përket adresimit të çështjes së Telekomit”, thotë ai.

Rritja e çmimeve për shërbimet në Telekom, sipas Rukiqit, tentohet në mënyrë artificiale me u rritë të hyrat, por kjo nuk është e qëndrueshme për shkak se nuk mjafton vetëm rritja e çmimeve, nëse nuk ka përmirësim të shërbimeve, rritje të numrit të shërbimeve dhe transformim konform nevojave që kanë konsumatorët.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, thotë për KosovaPress, se duhet reforma radikale në aspektin e funksionimit të ndërmarrjeve publike.

Panxha thotë se duhet vullnet politik për vendimmarrje, që të zgjidhen njerëz të duhur në udhëheqjen e këtyre ndërmarrjeve dhe mos të ketë punësime politike, përderisa kërkon që përveç bordit, në Telekom nevojite edhe një menaxhment profesional.

“Nuk e di se si është bilanci i gjendjes së Telekomit, një gjë është e ditur se aty punojnë shumë më shumë njerëz se që kanë nevojë. Pa marrë parasysh se sa rriten çmimet, kompania nuk mund të jetë profitabile në qoftë se kemi numër më të madh të punëtorëve sesa që nevojitet. Aty duhet një reformim, një menaxhment profesio nal, jo i ndikuar politikisht që kjo ndërmarrje të kthjellet dhe të kthehet të operon me profit”, thotë Panxha.

Drejtori ekzekutiv në ‘Çohu’, Arton Demhasaj thotë për KosovaPress, se të gjitha bordet kanë qenë me lidhje politike, edhe shpeshherë joprofesioniste.

Demhasaj thotë se këto shkarkime në Telekom, nuk është mirë të shihen si shkarkime për inate politike, por të ketë një bazë të fort ligjore dhe të ketë argumente dhe arsye të forta, përse po ndodhë kjo.

“Në rastin e Postës, është dashur që të bëhet një Komision ose në Kuvend, ose Qeveria ta bëjë një hetim paraprak për punën që ka bërë bordi aktual dhe nga ajo del se ky bord ka qenë i pa aftë për me menaxhuar si duhet këtë ndërmarrje publike dhe tani të merret vendimi për shkarkim. Nuk është shkarkimi i parë që ka ndodhur dhe nuk është kjo Qeveria e parë që po shkarkon, edhe qeveritë e kaluara kanë shkarkuar… Kështu që shkarkimi i tyre është rrezik që mund të përcillet pastaj përmes emërimeve që mund të bëhen nga njerëz që mund të kenë lidhje me partitë politike”, thotë Demhasaj.

Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari ka thënë se do të ndërmarrin masa edhe ndaj kompanive të tjera publike, pasi që janë duke analizuar raportet e Zyrës së Auditorit dhe sugjerime të tjera.

“Në bazë të nenit 19.3 e Ligjit për Ndërmarrjet Publike, thotë se qeveria duhet të shkarkoj drejtorët menjëherë nëse ka arsye për të besuar se kanë shkelur detyrat zyrtare, kështu që duke pasur parasysh raportin e zyrës së Auditorit, qeveria vëren se drejtorët kanë lejuara shpenzime të tepërta, punësime, gradime pa kriter si dhe kontrata për mallra dhe shërbime në kundërshtim me mundësitë, nevojat dhe zotimet e ndërmarrjes për ulje të shpenzimeve e rritje të hyrash. Rrjedhimisht qeveria konstaton se ka arsye për të besuar se drejtorët kanë shkelur detyrat zyrtare për çka duhet të shkarkohen. Në këtë rast e kemi edhe mbulesën ligjore prej Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, por do t’i marrim parasysh edhe sugjerimet për ndërmarrjet tjera të cilat jemi duke i analizuar”, thotë Hajdari.

Lëvizja Vetëvendosje në programin e saj ekonomik në zgjedhjet e tetorit, ka paraparë marrjen nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës dhe do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së “Trepçës”, KEK-ut, Telekomit dhe Postës.

Po ashtu, Vetëvendosje ka paraparë që Agjencia Kosovare e Privatizimit të shuhet dhe asetet e saj t’i kalojnë Fondit Sovran.