​Osmani priti në takim ambasadorin jorezident të Kanadasë, Alan Bowman

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin jorezident të Kanadasë në Kosovë, Alan Bowman, me të cilin ka diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror, në veçanti pas takimeve me udhëheqjen e Kanadasë muajin e kaluar.

Lajme

08/12/2021 19:32

Osmani theksoi se mbështetja për njohje të reja dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare është tregues i angazhimit më të madh të Kanadasë për sigurinë dhe paqen e rajonit.

Ajo shprehu gatishmërinë për të intensifikuar raportet e Kosovës me Kanadanë në fushën e diplomacisë, shkëmbimeve tregtare dhe bashkëpunimit në çështje të sigurisë dhe mbrojtjes.

Ndërsa, ambasadori Bowman i ka shprehur presidentes Osmani falënderimin e Kanadasë për ndihmën që Kosova ka dhënë në strehimin e refugjatëve afganë.

Në këtë drejtim, Osmani tha se qytetarët e vendi tonë, nga përvoja e tyre si refugjatë gjatë luftës së fundit, e çmojnë rëndësinë e strehimit të sigurt, dhe se institucionet e Kosovës do të jenë përkrah aleateve të saj të NATO-s në ballafaqimin e sfidave të tilla humanitare.