​OBSH: Nuk dihet nëse Omicron është më i rrezikshëm se variantet e tjera

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi sonte se nuk dihet ende nëse lloji i ri i koronavirusit omicron është më i rrezikshëm se ai i mëparshmi dhe nëse është më ngjitës në raport me variantet e mëparshme, veçanërisht në lidhje me deltën dominuese.

Bota

28/11/2021 20:24

OBSH deklaroi se studiuesit në Afrikën Jugore, ku u shfaq për herë të parë varianti i ri, dhe në pjesën tjetër të botës, po kryejnë studime për të kuptuar më mirë të gjitha aspektet e omicron, thuhet në ueb faqen e OBSH-së.

“Numri i njerëzve të infektuar në Afrikën Jugore po rritet në zonat e prekura nga ky lloj, por studimet epidemiologjike janë duke u zhvilluar për të përcaktuar nëse numri është i infektuar për shkak të omicron apo faktorëve të tjerë. Nuk dihet ende nëse ky lloj shkakton një ecuri më të rrezikshme të COVID-it. Të dhënat paraprake tregojnë se ka një numër në rritje të shtrimeve në Afrikën Jugore, por kjo mund të jetë për shkak të rritjes së numrit të pacientëve në botë dhe jo për shkak të omicron. Deri më tani, nuk ka asnjë informacion se simptomat e lidhura me omicron janë të ndryshme nga variantet e tjera”, shtohet në deklaratë.

OBSH thekson se rezultatet paraprake tregojnë se mund të ketë një rrezik të shtuar të riinfeksionit për shkak të omicron, por informacioni është i kufizuar.

Kur bëhet fjalë për vaksinat, OBSH thekson punën me partnerë teknikë në mbarë botën për të kuptuar ndikimin e mundshëm të varianteve në kundërmasat ekzistuese, përfshirë vaksinat.

“Vaksinat mbeten kyçe në reduktimin e sëmundjeve të rënda ose vdekjeve, duke përfshirë deltën dominuese,” thuhet në deklaratë.