​Nga 6 dhjetori Trafiku Urban ofron shërbim me kapacitet të përgjysmuar të ulëseve

Ndërmarrja Publike Lokale “Trafiku Urban”, ka njoftuar të mërkurën se nga e hëna e ardhshme (6 dhjetor) autobusët lokalë do të ofrojnë shërbimin me vetëm 50 përqind të ulëseve , përkatësisht do të pranojnë vetëm 17 udhëtarë në autobusë.

Lajme

01/12/2021 17:06

Në një komunikatë për media të “Trafikut Urban” bëhet e ditur se kjo mënyrë e organizimit vije si rrjedhojë e masave të marra nga Qeveria e Kosovës për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

“Trafiku Urban në kontekstin e pandemisë COVID-19 aplikon edhe me tutje masat e reja për kontrollin, nga Qeveria e Republikës së Kosovës të cilat do të hyjnë në fuqi më 6 dhjetor 2021, prandaj si pasojë autobusët lokalë për arsye të ruajtjes dhe parandalimit të virusit mund të ofrojnë shërbimin me vetëm 50% të ulëseve përkatësisht pranimin me 17 udhëtarë në autobus. Gjithashtu, duke u bazuar në mbledhjen e fundit nga Qeveria të datës 26.11.2021 , obligohemi të caktojmë një apo më shumë persona përgjegjës në çdo mjet të transportit publik, që do të kontrollojnë pasagjerët për posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura “Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19” dhe “Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë bashkë me dëshminë se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë)”, thuhet në komunikatë.

Në komunikatë thuhet po ashtu se përkundër faktit që personeli i transportit publik është në rrezik nga infektimi i virusit COVID-19, shërbimet ndaj qytetarëve vazhdojnë të realizohen sipas udhëzimeve çdo ditë, në të gjitha linjat deri në ndonjë vendim tjetër nga organet kompetente.

“Për qytetarët si përdorues të transportit publik ky reduktim i shërbimit me vetëm 50% të ulëseve nuk është mirëpritur aspak bazuar nga reagimet dhe kërkesat e tyre. Andaj përmes kësaj shkrese kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për pritjet e tyre përderisa ne detyrohemi që ti përmbahemi masave të përcaktuara nga organet përgjegjëse. Poashtu duam të ju njoftojmë se shoferët nuk mund të ndalin autobusët në stacionet përkatëse për arsye të plotësimit të kapacitetit prej 50%, në raste të tilla mund të presin autobusin e radhës duke shkarkuar aplikacionin E-Bus mobil përmes të cilit mund të lokalizoni autobusët në kohë reale dhe stacionet afër vend-ndodhjes suaj.

Ndërmarrja Publike Komunale “TRAFIKU URBAN” SH.A. në kuadër të masave parandaluese duke zbatuar rekomandimet e institucioneve ndaj virusit, njofton udhëtarët se pastrimi dhe dezinfektimi i rregullt i autobusëve bëhet çdo natë pas përdorimit të tyre ku janë të vendosur shiritat sinjalizues në ulëse, dezinfektues, maska mbrojtëse ndër të tjera dhe staf të autobusëve të cilët morën pjesë në ligjëratat këshilluese/udhëzuese për mbrojtjen nga virusi Covid-19, në QKMF.
Aktualisht Trafiku Urban ka në dispozicion 51 autobus në 7 linja të cilët janë në shërbim të banorëve nga ora 06:00 deri në orën 22:00.

Qytetarët mund të informohen në vazhdimësi për linjat, orarin, çmimet e biletave të Trafikut Urban përmes linkut: www.trafikurban-pr.com; emailit:[email protected]; Tel (Viber): +383 45 10 11 33 si dhe përmes rrjeteve sociale.