​Në Gjilan vetëm 5 raste aktive me COVID-19

Komiteti i Gjilanit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së Covid-19, ka konfirmuar se gjendja në këtë komunë është nën kontroll dhe me vetëm 5 raste aktive, ndërsa, nga java e ardhshme konfirmohet për fillimin e vaksinimit masiv.

Lajme

11/06/2021 19:01

“Në Gjilan sot i kemi vetëm pesë raste në dy familje, të cilët nuk kanë simptoma të rënda, që janë duke u trajtuar nga ekipet shëndetësore. E dhimbshme mbetet gjithmonë humbja e 146 qytetarëve tanë, të cilët për shkak të Covid-it dhe problemeve të tjera shëndetësorë, janë ndarë nga ne për këtë periudhë të përballjes me virusin. Me ardhjen e bashkatdhetarëve në vendlindje, ku llogarisim 50-60 mijë qytetarë më shumë që kanë hyrje-dalje në Gjilan si banorë, duhet të kemi bashkërisht vigjilencë të lartë për të shmangur përhapjen e mundshme të infeksionit”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai ka potencuar se më 15 qershor 2021, në shënimin e 22-vjetorit të çlirimit, nis edhe vaksinimi masiv i qytetarëve dhe përgatitjet janë në nivelin më të lartë që gjithçka të shkojë sipas planifikimit, ka përsëritur në këtë takim kryetari Haziri.