​Nagavci publikon nënshkrimet e Listës Serbe: Për çdo vendim Qeveria Hoti duhet ta pyesë Serbinë

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, ka publikuar sot nënshkrimet e deputetëve të Listës Serbe, për thirrjen e seancës ku do të votohet Qeveria Hoti.

Lajme

02/06/2020 18:24

Nagavci thotë se Qeveria do të jetë e varur nga Lista Serbe dhe për çdo vendim paraprakisht duhet të arrijë kompromis me Serbinë.

“Shumë vite pas qeverive të varura nga LS, votat e qytetarëve i mundësuan kryeministrit Kurti të krijonte një qeveri të pavarur nga votat e LS. Pavarësisht kësaj, LDK inicioi mocion për rrëzim të Qeverisë ku ishte dhe vetë, dhe me Avdullah Hotin synon që përsëri të rikthejë ndikimin e Serbisë edhe në Kuvend”, ka shkruar Nagavci në Facebook, ku ka publikuar edhe listën e nënshkrimeve të deputetëve të Listës Serbe për mbajtjen e seancës së nesërme në Kuvend.

Postimi i plotë:

Në tentimin për të realizuar projektin e presidentit Thaçi, të varur edhe nga Serbia.

Qeveria që po synon të votohet nga LDK, AAK, NISMA, LS, përpos që jo legjitime do të jetë krejtësisht e varur nga Lista Serbe, pra nga Beogradi. Për çfarëdo vendimi që do të dojë të marrë kjo qeveri, do të duhet paraprakisht të arrijë kompromis me Serbinë.

Shumë vite pas qeverive të varura nga LS, votat e qytetarëve i mundësuan kryeministrit Kurti të krijonte një qeveri të pavarur nga votat e LS. Pavarësisht kësaj, LDK inicioi mocion për rrëzim të Qeverisë ku ishte dhe vet, dhe me Avdullah Hotin synon që përsëri të rikthejë ndikimin e Serbisë edhe në Kuvend.

Legjitimim nga qytetarët e jo varësi nga Serbia. /Lajmi.net/