Macron: Brexit i shpejtë pas zgjedhjeve britanike
Presidenti francez, Emmanuel Macron theksoi sot se dëshiron një avancim të shpejtë për sa i përket çështjes së Brexit-it, menjëherë pas rezultateve të zgjedhjeve legjislative në Britaninë e Madhe.
Bota
“Do të duhet që ne të mund të avancojmë sa më shpejt pas këtyre zgjedhjeve”, deklaroi presidenti francez pas pritjes në Elysée të presidentit të ri të Këshillit Europian, Charles Michel.
“Njëzet e shtatë drejtuesit evropianë do të diskutojnë për Brexit të premten, pas zgjedhjeve legjislative të parakohshme, një rastësi me kalendarin”, sipas ish-kryeministrit belg.
“Në të gjitha rastet, do të jetë shumë e rëndësishme vazhdimi i metodës së ndjekur deri tani, që do të thotë uniteti i 27 vendeve, drejtimi unik i negociatave nga Michel Barnier, rigoroz në mbrojtjen e interesave tona pa hequr dorë nga presioni dhe duke respektuar, me Britaninë e Madhe, kushtet e konkurrencës”, deklaroi presidenti francez, Emmanuel Macron.
Charles Michel konfirmoi nga ana e tij rëndësinë e ndërtimit të një marrëdhënieje të ngushtë me Britaninë e Madhe që është një partnere shumë e rëndësishme për Bashkimin Evropian.
Në mungesë të kryeministrit britanik, Boris Johnson, 27 vendet do të diskutojnë të premten për prioritetet e tyre në negociatat e ardhshme mbi marrëdhënien me Londrën, veçanërisht tregtare./ATSH/