​Lufta kundër krimit të organizuar, Prokurori i Antimafias italiane: Forcim i bashkëpunimit me Shqipërinë

Për herë të dytë brenda këtij viti, Prokurori Kombëtar i Drejtorisë Antimafia dhe Antiterrorizmit në Itali, Federico Cafiero De Raho, ka ardhur në Shqipëri për t’i ofruar Ministrisë së Drejtësisë mbështetjen e institucionit që drejton.

Lajme

15/11/2019 23:01

Në konferencën “Administrimi, menaxhimi dhe përdorimi i pasurive të sekuestruara e të konfiskuara: Praktika të mira dhe aspekte të bashkëpunimit ndërkombëtar”, De Raho u shpreh se është forcuar më tej kooperimi midis Shqipërisë dhe Italisë i cili, sipas tij, nuk konsiston vetëm në ekstradimin e subjekteve, por tashmë është një bashkëpunim aktiv në investigime midis dy palëve.

“Shqipëria është treguar e gatshme dhe efektive në arrestimin e subjekteve të cilët kërkohen nga shteti italian, gatishmëri të cilën e ka treguar gjithashtu dhe Italia. Falënderoj ministren Gjonaj për angazhimin e saj në implementimin e një instrumenti të ri për luftën kundër krimit të organizuar, menaxhimin e pasurive të konfiskuara të prodhuara nga aktiviteti kriminal. E mbështes dhe ndjej afërsi me Ministren e Drejtësisë si pasojë e angazhimit të saj pikërisht në luftën kundër këtij fenomeni, korrupsionit në instanca të larta”, – u shpreh De Raho duke shtuar se “tashmë krimi i organizuar e shtron ndikimin e tij përtej kufijve të vendit të origjinës. Dhe për këtë fakt ka qenë i nevojshëm kooperimi midis Shqipërisë dhe Italisë me fokus në luftën kundër kriminalitetit shqiptar”, tha ai.

De Raho u shpreh se grupet e strukturuara kriminale janë në evoluim të vazhdueshëm, duke gjetur forma të reja për prodhimin e parave dhe lëndëve narkotike, veprimtari të cila në mënyrë direkte dhe indirekte ndotin ekonominë.

Në fund ai falënderoi edhe njëherë personat “të cilët kanë qenë bashkëpunues në implementimin e sistemit të menaxhimit të pasurive të konfiskuara, sidomos për Ministren e Drejtësisë, për mbështetjen dhe angazhimin e saj për implementimin e kësaj nisme dhe për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”./ATSH/