​Limaj-Lajçakut: Duhet të largohet çfarëdo pengese që zvarritë përfundimin e dialogut

Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj pas takimit me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është shprehur optimist se dialogu do të rifillojë së shpejti.

Lajme

14/10/2020 17:39

Sipas tij, Serbia po mundohet përmes bllokadave të zvarrit këtë proces, i cili sipas tij duhet të përmbyllet me njohje reciproke.

Ai tha se nuk ka asgjë të keqe të përfshihet Asociacioni me kompetencat që janë caktuar nga Gjykata Kushtetuese në marrëveshjen finale.

“Duhet të largohet çfarëdo zbrastësie, pengesë që e zhagisinë përfundimin e dialogut dhe e di që zotëri Lajçak bashkë me kabinetin e tij është duke e bërë një punë të madhe. Pres në ditët në vijim të intensifikohet dialogu dhe të përmbyllet me marrëveshjen obligueshme për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Në marrëveshje gjithëpërfshirëse duhet të përfshihet edhe Asociacioni me të gjeturat apo kompetencat e vendimit të Kushtetueses dhe Kosova ka obligimet që duhet të zbatojë. Këtu nuk shoh asnjë telashe, për mua është e rëndësishme që marrëveshje të jetë për njohje reciproke dhe brenda të jetë asociacioni siç është paraparë nga Gjykata Kushtetuese”, tha Limaj.

Po ashtu Limaj tha se Kosova ka bërë vazhdimisht kompromise për t’u rikthyer në dialogun me Serbinë.

“Kosova ka bërë kompromise për tu kthyer në dialog, kemi pasur kërkesa prej miqve tanë për t’u kthyer në dialog. Ky dialog është për njohje. Në këtë drejtim si Kosovë duhet të fokusohemi me këtë temë të përmbylljes së kësaj marrëveshje”, tha ai. /Lajmi.net/