​Kush po i shkakton aksidentet? (Foto)

Shumë aksidente e persona të vdekur në rrugët e Kosovës. Mos-përshtatja në kohë, shpejtësia e pakujdesia janë shkaqet kryesore që gjenden në statistikat e institucioneve përgjegjëse. Rrallë herë ndodh të konstatohet se ka pasur probleme në një rrugë të caktuar. Zakonisht fajtori mbetet faktori njeri.

Lajme

27/12/2015 16:46

Por, dikush ka dalë dhe po shikon rrugët e shenjat e komunikacionit, e po i quan si të palejueshme dhe të rrezikshme për jetën e shoferëve.

Blerim Gashi, instruktor, i cili punon edhe në verifikimin e aksidenteve rrugore në Itali, thotë të ketë gjetur shumë parregullsi në komunikacionin rrugor në Kosovë. Madje sipas tij, nga krejt ky sistem i ndërtimit të rrugëve dhe shenjave të komunikacionit rrjedhin edhe aksidentet.

Duke treguar për rregullat që përbëjnë shiritin ndihmës në një rrugë, Gashi ndalet tek hyrja e Prishtinës dhe tregon për parregullsitë që, sipas tij, janë pjesë e ndërtimit të kësaj rruge.

“Këtë shiritin ndihmës këtu përpara e kemi me gjerësi jo të mjaftueshme për rregu lloren europiane që e përcakton komunikacioni. .. Ky shirit duhet të jetë me një largësi të mjaftueshme të sigurisë, këtu nuk e shoh atë siguri sepse është një largësi ku nuk i përmbahet rregullores evropiane… Nuk e di kush e ka vendosë këtë sistem të kësaj rruge, por me këtë punë që është bërë këtu, është një rrezikim i madh për popullatën dhe turizmin e Kosovës që ka kjo rrugë”, thotë ai.

Derisa në këtë rrugë kufizimi i shpejtësisë është 100 kilometra në orë, Gashi thotë se kjo është një shpejtësi shumë e lartë për një rrugë si kjo që frekuentohet nga një numër i madh i njerëzve.

Sipas tij, rruga lidhëse nuk është e mjaftueshme për marrjen e shpejtësisë prej 100 orë, pasi që sipas rregullores, shoferit nuk i mjafton ky shirit. Ai thotë se ky shirit ndihmës nuk përputhet me karakteristikat e kësaj rruge.

Ai u ndal edhe në fshatin Llapushnik, përkatësisht në rrugën Prishtinë-Pejë, tek nënkalimi, që sipas tij, ky plan i shenjave në rrugë i shtyn shoferët të shkaktojnë aksidente.

“Ku është normale të kemi vijën e ndërprerë, këtu e kemi vijën e plotë, sigurisht ai inxhinier që e ka ba këtë vijë të plotë ka mendu që jemi në një rrugë ku komunikacioni zhvillohet në dy kahje, por këtu jemi në rrugë njëkahore, e kemi vijën e plotë. Nuk është e lejueshme, e ligjshme për komunikacion për këtë rrugë. Është vija e plotë e pandërprerë, na obligon të qëndrojmë në shiritin e djathtë… na kanë obliguar në këtë mënyrë të jemi të rrezikuar e të kemi ndonjë aksident në këtë komunikacion”, thotë ai.

Sipas Gashit, probleme të mëdha në Kosovë paraqesin edhe tabelat me shenjat paralajmëruese, shumë prej të cilave, sipas tij, nuk janë të vendosura sipas rregullave.

“Nuk janë të homologuara me rregulloren evropiane… kësaj tabele i mungon madhësia, shenja obliguese për me shku në krahun e djathtë nuk e ka dimensionin përkatës për këtë komunikacion, vezullimi mbi të gjitha… Kjo ka rrezikun, sidomos tash në kohët e mjegullave, kur nuk është mjaftueshëm dukshëm, nuk e jep vezullimin e mjaftueshëm, dhe mund të ndodhë ndonjë aksident… Është e arsyeshme për aksidentin sepse personi me dëme mund të kërkojë prej komunës ose ministrive dëmshpërblim, sepse kjo tabelë nuk i përket këtij vendi, nuk është e homologume për këtë vend… Nëse është natën nuk shihet, nuk e ka vezullimin e mjaftueshëm, mund të ndodhë nuk e sheh”, thotë ai.

Komunikacionin aktual në Kosovë, Gashi e sheh si shumë shqetësues dhe shkaktar të shumë aksidenteve. Sipas tij, shumë rregulla të vendosura nuk janë në përputhje me rrugën në të cilën gjenden, e shumë tabela të vendosura në rrugë nuk posedojnë kriteret e nevojshme. Kështu sipas tij, rregullat e vendosura nuk janë modele të marra në vendet evropiane./Kosovapress