​Kurti: Hetuesit më të mirë të vendit po merren me vrasjen në Gllogjan të Deçanit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se sasia e informacioneve për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit është duke u shtuar.

Lajme

06/12/2021 14:50

Ai pasi ka bërë homazhe te busti i senatorit Bob Dole, tha se hetuesit më të mira janë të përfshirë në këtë rast.

“Sasia e informacionit për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit është duke u shtuar, meqenëse hetuesit më të mirë tanë janë të përfshirë atje. Mirëpo kur të kenë diçka konkrete sa i përket të pandehurit ose të pandehurve që e kryen këtë vrasje të trefishtë mizore, ne natyrisht që do t’iu njoftojmë me kohë”, tha ai.

Kurse mbrëmë Kurti ka thënë se ndihet keq që ende nuk është identifikuar i pandehuri ose të pandehurit.

Ai më tutje ka thënë se informacioni është rritur dhe hetimet po kryhen me hetuesit më të mirë të Kosovës.

“Mua më vjen shumë keq që këtë të premte në darkë u bë një javë që ne nuk e kemi të pandehurin të identifikuar e as të arrestuar rrjedhimisht, ose të pandehurit, ishte një vrasje mizore e trefishtë, ku një i plagosur kishte fat dhe sasia e informacionet me ç’kam kuptuar nga Policia është rritur për shkak të hetimeve të shtuara edhe me hetuesit më të mirë që i ka Republika e Kosovës, mirëpo ende nuk e kemi rezultatin. Më vjen shumë keq për këtë gjë”, tha Kurti.

Të premten e javës së kaluar, në Gllogjan të Deçanit ndodhi një vrasje e trefishtë në një autobus i cili po barte udhëtar.

Të vdekur në këtë aksident mbetën dy nxënës dhe shoferi i autobusit, ndërsa një nxënës tjetër mbeti i plagosur, ndërsa tani është duke u shëruar./Lajmi.net/