​Funksionalizohet shërbimi stomatologjik në lagjen Vreshta në Prishtinë

Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Prishtinë, nëpërmjet një komunikate për media ka njoftuar për funksionalizimin e shërbimit stomatologjik në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen Vreshta.

Lajme

13/01/2016 17:03

Kjo, sipas Drejtorisë, është bërë me kërkesë të qytetarëve që kanë nevojë për shërbime stomatologjike.

“Në vazhdën e përmirësimit të kushteve për ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe zgjerimit të kapaciteteve të shërbimeve stomatologjike, këtë vit përveç zgjerimit të shërbimit në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Dardani ka funksionalizuar shërbimin stomatologjik edhe në Qendrën e Mjekësisë Familjare Vreshta, si rezultat i kërkesave të qytetarëve për shërbimet stomatologjike si një prej shërbimeve më të nevojshme”, thuhet në komunikatë.

Sipas kësaj drejtorie, shërbimi stomatologjik në kuadër të QKMF –së ka përmbyllur vitin e kaluar me furnizimin me pajisje bashkëkohore stomatologjike, duke përfshirë 4 karrige stomatologjike për shkak të amortizimit dhe vjetërsisë së tyre, aparatin “RO – digjital fusiodispanser”, dhe pajisje të shumta përcjellë se për punë të cilësisë së lartë, duke bërë kështu që shërbimet të jenë më cilësore, njëkohësisht punëtorëve shëndetësorë t’iu mundësohet lehtësim në përcaktim të diagnozës dhe ecurise së mjekimit.

Po ashtu, sipas drejtorisë, këtë vit shërbimi stomatologjik në QKMF, ka ngritur nivelin e kontrollit të sterilizimit të instrumenteve dhe pajisjeve stomatologjike, duke u pajisur me aparaturë dhe pajisje më bashkëkohore për kontroll të sterilizimit.

“ Shërbimi stomatologjik është në fazën përmbyllëse të funksionalizimit të shërbimit diagnostikues edhe në QMF në rrugë “Xhemajl Ibishi”, që pritet së shpejti të filloj punën”, thuhet në fund të komunikatës. /kp