​Dekreti i Thaçit, Vetëvendosje kërkon procesverbalet dhe transkriptet e Kushtetueses

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar sot nga Gjykata Kushtetuese që në afat sa më të shpejtë dhe në format autentik t’ia ofrojë të gjitha dokumentet, duke përfshirë edhe procesverbalet dhe transkriptet që pasqyrojnë procesin e shqyrtimit dhe të marrjes së vendimit nga ana e kësaj gjykate për dekretin e presidentit Thaçi.

Lajme

01/06/2020 18:55

Kërkesa është bërë nga shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi, duke marrë parasysh rëndësinë dhe ndikimin e madh për rendin kushtetues dhe demokracinë, për pasqyruar procesin e shqyrtimit dhe të vendosjes nga ana e Kushtetueses për dekretin siç thuhet antikushtetues të presidentit.

“Dekreti antikushtetues i presidentit nuk mund të justifikohet përmes Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ashtu sikurse aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është vënë mbi Kushtetutën për ta arsyetuar presidentin. Andaj si palë në këtë rast, kërkojmë të njihemi me dokumentet që dëshmojnë se mbi çfarë baze është argumentuar ajo që nuk mund të argumentohej në dritën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.