​“Çështja e personave të pagjetur, e varur në ajër për 21 vjet”

Familjarët e personave të pagjetur janë ushtarët e paqes në Kosovë. Tash e më shumë se dy dekada, janë në ankth dhe u shkelet e drejta e tyre elementare; informimi për vendndodhjen e më të dashurve të tyre. Ndërkohë, Republika e Kosovës po synon të marrë njohje nga shteti fqinj, dhe po pret të arrijë një marrëveshje finale brenda vitit. Nuk u mësuan asnjëherë lokacionet se ku janë dërguar mbi 1.600 shqiptarë gjatë luftës së 98-99’. Aq më tepër nuk u arrit që kjo çështje të diskutohet në nivel të lartë në tavolinën e Brukselit, mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

Lajme

24/02/2020 14:53

Çështja e personave të pagjetur po konsiderohet të jetë e varur në ‘ajër’ për 21 vjet. Ashtu siç janë varur sot fotografitë e familjarëve të këtyre personave, të cilët përfaqësojnë një person të fotografuar që lidhet me kujtimet , mungesën dhe jetën e tyre pas humbjes së personit të pagjetur.

“Ballafaqimi me të harruarën”, kështu është titulluar ekspozita, ku kanë zë vend fotografi në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”.

Kjo me qëllim që të dokumentohen dhimbjet e secilit nga familjarët dhe të inkurajohet shpresa e tyre se një ditë do të zbardhet fati i mbi 1600 të zhdukurve.

Dardan Hoti, autor i kësaj ekspozite thotë se 21 vjet pas luftës në Kosovë, ende vazhdon të ketë pritje, lutje, vuajtje të familjarëve të tyre të cilët vazhdojnë të kërkojnë ata.

“Këto intervista dhe këto fotografi janë realizuar në vitin 2014, prej meje, Rozafa Kelmendit edhe Fitim Selimit. Edhe nga 16 rrëfime dhe 16 personazhe që kemi këtu, janë 28 familjarë të tyre të pagjetur. Edhe prej vitit 2014 deri tash në vitin 2020 kur ne kemi pru, dhe real izuar këtë ekspozitë, është gjetur trupi vetëm i një personi të këtyre familjarëve. Kjo tregon që është bërë shumë pak për të pagjeturit”, tha Hoti.

Për gjithë këto vjet pritje,Aurela Kadriu, e cila ka qenë pjesë e ekipit të ekspozitës, thotë se përgjegjës janë institucionet, për çka çështja e tyre është e varur “në ajër”.

“Fotografitë janë të ndara në tri pjesë, në fotografi janë familjarë të personave të pagjetur. Tri pjesë të fotografisë ne kemi menduar që simbolizojnë tri lloj emocionesh, ndjenjash, me të cilët familjarë të personave të pagjetur jetojnë tash e 21 vjet. Që është malli për personat të cilët i kanë humbur, humbja edhe jeta që e kanë zhvilluar ose e zhvillojnë pas humbjes së personave të pagjetur. Fotografitë qëndrojnë të varura në ajër, për arsyej e se ne konsiderojmë që edhe çështja e personave të pagjeturve në Kosovë tash e 21 vjet është çështje e varur në ajër edhe shumë mbetet me u bo. Unë mendoj që barra i mbetet institucioneve të Kosovës, puna jonë edhe qëllimi jonë është që sa do pak t’ua kujtojmë institucioneve që duhet ta kthejnë kokën ka familjarët e personave të pagjetur dhe ka ofrimi i lajmeve, dhe sjellja në dritë të lajmeve”, ka shtuar ajo.

Prapa çdo fotografie gjenden citate të cilat janë pjesë të rrëfimeve të jetës së familjarëve të cilët janë dërrmuar nga pritja. Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit për të Pagjetur thotë se si pasojë e luftës ende 1644 persona evidentohen si të zhdukur.

“ Ka shumë që kanë shkuar, për fat të keq kanë ik pa ditur për fatin e më të dashurve të tyre. Prandaj përgjegjësi është që ne të punojmë që para se të ikin së paku t’i gëzojmë me një lajm të mirë. Kemi këtu bacën Bajram që tre breza i ka të zhdukur, stërgjyshin, gjyshin dhe djalin. Një histori e përsëritshme. Ndoshta është lufta e fundit që të ballafaqohemi me zhdukjen e njerëzve. Janë humbur gjurmët, 100 veprime, kjo çështje është përgjegjësi institicuionale, mirëpo tani duhen 100 veprime për me zbuluar me dit për fatin e personave të zhdukur”, tha ai.

Gjetaj thekson se këtyre familjarëve që tash e mbi 20 vjet presin një lajm për më familjarët e tyre, duhet shteti t’u qëndrojë afër.

Kjo ekspozitë mbështetet nga forumZFD-Programi në Kosovë përmes fondeve të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.