​Von der Layen: BE-ja duhet të përgatitet për variantin e ri Omicron

20:28 | 28 Nentor 2021

Bashkimi Evropian duhet t’i blejë vetes kohë për të vlerësuar plotësisht implikimet e llojit të ri të koronavirusit omicron, dhe për t’u përgatitur duke rritur shkallën e vaksinimit, tha sot presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Omicron, i cili u zbulua për herë të parë në Afrikën e Jugut, tani është shfaqur në vendet e BE-së – Belgjikë, Danimarkë, Gjermani, Itali dhe Holandë, si dhe në Australi, Botsvanë, Britani të Madhe, Hong Kong dhe Izrael.

Von der Leyen tha gjatë vizitës së saj në Letoni se ajo e merr variantin e ri shumë seriozisht, përcjell Reuters.

“Ne e dimë se jemi në një garë me kohën dhe shkencëtarët dhe prodhuesit e vaksinave kanë dy deri në tre javë për të marrë një pamje të plotë të fuqisë së mutacioneve të omicronit”, tha von der Leyen.

Ajo tha se periudha e ardhshme duhet të përdoret për masa paraprake, para së gjithash për të rritur shkallën e vaksinimit, por edhe për të dhënë sa më shumë doza përforcuese.

“E rëndësishme është që të shpresojmë për më të mirën, por ne po përgatitemi për më të keqen. Prioriteti më i lartë për momentin është distanca sociale, reduktimi i kontakteve dhe sa më shumë vaksinimi dhe doza përforcuese”, theksoi von der Leyen.