Të Infektuar: 18.345

Të Shëruar: 15.198

Të Vdekur: 669

​Vet e votuan por deputetët nuk po respektojnë Ligjin për Barazi Gjinore

9:58 | 10 Tetor 2020

Ligji për Barazi Gjinore ka pesë vite që është votuar në Kuvendin e Kosovës, por vet të zgjedhurit e popullit nuk po e përfillin atë. Kjo pasi përfaqësimi i grave në bordet e ndërmarrjeve publike, institucioneve dhe agjencive të pavarura që votohen nga ata, po vazhdon të jetë shumë i ulët.

Përveç votës së tyre shqetësuese po shihet të jetë vet trupat që bëjnë rekrutimin e kandidatëve që synojnë ndonjë prej posteve publike.

Deputetja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë për KosovaPress, se pas rasteve të fundit në Kuvend, ku për dy pozita joekzekutive në bordin e BQK -së, kanë ardhur për votim shtatë burra, do të insistojnë që trupat që bëjnë përzgjedhjen e kandidatëve të rekrutojnë edhe gra dhe prej aty të respektohet Ligji për Barazi Gjinore.

“Duke e marrë parasysh se flasim për një ligj që është miratuar në Kuvendin e Kosovës e shoh totalisht të papranueshme pranimin e listave për trupat të cilat votohen në Kuvend në të cilat nuk ka një barazi gjinore. Kjo është arsyeja që disa herë deri më tash në këtë legjislaturë e kam ngritur këtë çështje dhe më duket se ka ardhur te pika ku më, në bashkërendim edhe me kryetaren e Kuvendit edhe me kryesinë po shpresoj që do të ketë mbështetje që trupat të cilët bëjnë përzgjedhjen e parë të kandidateve që pastaj duhet të vinë të votohen në Kuvend, të japin mundësi që të ketë barazi të plotë gjinore dhe të insistojnë që të rekrutojnë edhe gra… Në rastin e fundit e kemi pasur në BQK, kemi pasur 7 kandidat burra për dy pozita joekzekutive në bord dhe më vjen mirë që procesi u kthye në pikën 0”, thotë Kusari.

Shqetësuese këtë gjendje po e sheh edhe drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani.

“Fatkeqësisht në shumë shpallje që kemi parë kohën e fundit, numri i kandidateve gra që kanë aplikuar është shumë i vogël, kundrejt kandidatëve burra. Këtu mendoj që ka të bëjë edhe guximi i grave për tu përball me burrat me një garë të tillë duke e pas parasysh që në të gjitha bordet në të kaluarën kanë dominuar burrat. Pavarësisht që ka shumë gra që i përshtaten profileve të këtyre ndërmarrjeve… Për të gjet ky ligj zbatim të plotë duhet që procedurat e konkursit dhe rekrutimit të jenë shumë transparente dhe të filloj një apolitizëm i krejt këtyre ndërmarrjeve. E fundit veç̧ ishte Avokati i Popullit e kemi një ish zëvendës ministër….Pikërisht tu e pa këtë gjendje ndoshta shumë këto borde janë të politizuara kjo mund të jetë një prej arsyeve që shumë gra hezitojnë të aplikojnë”, thotë ajo.

E nga ata që avokojnë të shtyjnë përpara të drejtat e grave, thonë se këto të fundit po mbesin të nënpërfaqësuara.

Gresa Sermaxhaj nga Rrjeti i Grupit të Grave, shprehet skeptike se situata e barazisë gjinore mund të ndryshojë për të mirë.

“Te ngecjet e këtij ligji janë dy gjëra më thelbësore. E para është që ky ligj nuk ka shfuqizuar ligje të tjera që bien ndesh me këtë ligj siç̧ është për shembull ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe e dyta është mungesa e raportimit rreth zbatimit të këtij ligji, si dhe mungesa e sanksioneve apo dënimeve për ato institucione që dështojnë ta zbatojnë këtë ligj ashtu siç̧ kërkohet… Përgjatë viteve 2017/18, rrjeti i grave të Kosovës ka kryer një analizë të kuadrit ligjor të disa sektorëve nisur nga perspektiva gjinore, në atë dokument vërehet qartë se gratë mbesin të nënpërfaqësuara në ndërmarrje publike çoftë si udhëheqëse, çoftë si pjesëmarrëse, aso kohe nga 31 ndërmarrje publike kanë qen gjithsej 159 anëtarë të bordeve 85% burra, kurse 15% gra”, thotë ajo.

Ndërkaq, deputetja Kusari-Lila thotë se do të sigurohet që edhe MTI të përpilojë legjislacionin sekondar, me të cilin parashihen sanksione për ato ndërmarrje të cilat nuk i aplikojnë barazinë gjinore, për bordet jo ekzekutive.

“Nga pozita ime si deputete do të sigurohem që edhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë si zbatuese e ligjit për shoqëri tregtare të përpiloj legjislacionin sekondar me të cilin parashihen sanksione për ato ndërmarrje të cilat nuk i aplikojnë barazinë gjinore, për bordet jo ekzekutive”, thotë ajo.

Përndryshe, edhe neni 7 i Kushtetutës së Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore.