​Thaçi për Wiener Zeitung: Sjellja e Serbisë duhet t’i shërbej si thirrje zgjimi BE-së

19:37 | 14 Nentor 2015

Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi

E përditshmja austriake Wiener Zeitung, sot ka publikuar një intervistë të zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Jashtëm i Kosovës. Në këtë intervistë, Thaçi ka folur për UNESCO-n, për qasjen destruktive të Serbisë përballë Kosovës dhe për Bashkimin Evropian.

Për Wiener Zeitung, Thaçi ka thënë se Serbia ka udhëhequr një fushatë anti-evropiane kundër Kosovës, kundër trashëgimisë kulturore, kundër arsimit dhe kulturës në përgjithësi.

Sipas Thaçit, Serbia e kishte mundësinë që të prezantohej si një shtet i civilizuar dhe pro-evropian, por nuk e bëri dhe në këtë mënyrë, ajo është humbësja e vërtetë.

“Dialogu duhet të vazhdojë. Ne do t’i implementojmë të gjitha marrëveshjet e arritura. Nuk ka rrugë tjetër, përveç që dialogu të vazhdojë. Ne nuk duhet ta bllokojmë njëri-tjetrin. Kjo nuk ka të bëjë asgjë me UNESCO-n dhe temat nuk duhet të ndërlidhen mes vete. Paralelisht me këtë, ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për tu anëtarësuar në këtë organizatë të OKB-së”, ka thënë Thaçi për Wiener Zeitung.

Ai ka thënë se është e lehtë të jesh spektatorë dhe të kritikosh, por ne duam të jemi aktivë. “Për aplikimin tonë në UNESCO kemi lobuar në mënyrë shumë intensive. Por, çdo përpjekje është gjithashtu një proces mësimi dhe herën tjetër do të jemi edhe më të përgatitur”, ka thënë Thaçi për këtë të përditshme austriake.

Për mënyrën sesi është sjell Serbia, Thaçi ka thënë se sjellja e saj duhet t’i shërbejë si një thirrje zgjimi BE-së. “BE-ja më në fund duhet ta kuptojë se Serbia dhe Kosova duhet të anëtarësohen së bashku në BE. Anëtarësimi duhet të bëhet në të njëjtën kohë”, ka thënë Thaçi.

Zëvendëskryeministri Thaçi për Wiener Zeitung ka thënë se nuk ka shenja se Beogradi do të ndryshojë qëndrimin e tij ndaj Kosovës dhe nëse Serbia edhe një minutë më herët anëtarësohet në BE, ajo do të bëjë çdo përpjekje për të bllokuar Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. /KosovaPress/

thaci_7156