​Të hënën takimi i radhës Zaev-Gashi, këto janë detajet

22:56 | 28 Nentor 2021

Është caktuar për nesër një takim në mes kryeministrit në dorëheqje të Maqedonisë Veriore Zoran Zaev dhe kryetarit të Alternativës Afrim Gashi.

Takimi pritet të mbahet në orën 14:00, te Klubi i Deputetëve, ndërsa pritet të diskutohet nëse AAA do të bëhet pjesë e Qeverisë, shkruan Alsat.

Nga dy takimet e mëhershme Zaev dhe Gashi nuk dhanë asnjë vendim përfundimtar derisa nga takimi i fundit lideri i Alternativës tha që do të vazhdon negociatat me LSDM, nga të cilat pritet të arrihet një marrëveshje përfundimtare.

Zoran Zaev ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit pas disfatës së thellë të partisë së tij, Lidhjes Social-Demokrate (LSDM), në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale më 31 tetor.

Ai ka dhënë dorëheqje edhe nga drejtimi i LSDM-së duke marrë gjithë përgjegjësinë për disfatën e partisë së tij, por tha se pavarësisht dorëheqjes nuk është për zgjedhje të parakohshme, por që qeverinë ta drejtoj një kuadër tjetër i LSDM-së.

“Nuk duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Do të qëndroj këtu në këtë periudhë sa më duhet, për të organizuar një Qeveri të re me një shumicë progresive që ka dhe mund të zgjerohet”, ka deklaruar Zaev.

Ndërkohë, ende nuk dihet se kur Zaev do ta dorëzojë në Kuvend dorëheqjen nga posti i kryeministrit, të cilën dorëheqje ai e paralajmëroi menjëherë pas humbjes së zgjedhjeve lokale.