“Simboli i Lirisë” për 80 vjetorin e lindjes së Adem Demaçit
Jeta dhe veprimtaria e Adem Demaçit është përmbledhur në një film dokumentar, i cili u shfaq sonte në Kinemanë ABC në Prishtinë.

Lajme
I emëruar “Simboli i Lirisë”, ky film që zgjati gati një orë, shfaq tërë jetën e Demaçit, që nga fëmijëria, vitet e gjata të kaluara në burg si dhe veprimtarinë e tij që nga dalja nga burgu e deri në ditët e sotme.
Ky film i realizuar nga gazetari Nuhi Bytyqi është bërë për nder të 80 vjetorit të simbolit të rezistencës kombëtare, i cili ishte prezent në promovim, por nga gjendja e rënduar shëndetësore foli shumë pak.
Promovimi i filmit është bërë në praninë e shumë personaliteteve të vendit nga jeta politike dhe kulturore, si kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Qosja si dhe ish – të burgosur politikë.
Njëri ndër ta Hydajet Hyseni tha se Adem Demaçi mban emrin metaforë lirie.
“Ne Kosovë e në burg dhe pjesë e burgut në Jugosllavi Adem Demaqi është emri metaforë lirie, që pos tjerash përfaqëson edhe personifikon si askush tjetër edhe armatën e madhe të dhjetëra – mijëra të burgosurish politikë, të cilët edhe sipas disidentit më të njohur joshqiptar të burgjeve shoviniste jugosllave Mihajllov Mihajllov ishin të vetmit që ishin të burgosur politik. Adem Demaçi i përket brezit të pafat, me fëmijëri e pa fëmijëri midis dy kasaphanave botërore që sollën në njërën anë pushtimin e copëzimin e në anën tjetër ripushtimin e ripushtimin e tokave edhe hapësirave shqiptare”, tha Hyseni.
Ndërkaq autori i këtij filmi Nuhi Bytyqi ka rikujtuar dy momentet më të vështira që lidhen me protagonistin e këtij filmi.
“Momenti i parë ndërlidhet me një periudhë të rëndësishme në lidhje me organizimin e demonstratave më të njohura studentore të një tetorit të vitit 1997, unë kontaktova drejt për së drejti me bacën Adem dhe kërkova mendimin e tij në lidhje me këto demonstrat. Ai pa hezitim shprehi gadishmërinë për të më dhënë një deklaratë në mbështetje të parezervë të Lëvizjes studentore dhe premtoi se do të marr pjes në demonstrata…momenti dytë pikërisht periudha e luftës çlirimtare në vjeshtë të viti 1998 baca Adem ku aso kohe ishte përfaqësues i përgjithshëm politik Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e thirra ne telefona dhe kërkova që të takohem me të që të këmbejmë disa opinione lidhur me zhvillimet dramatike”, ka thënë Bytyqi.
Ndryshe filmi dokumentar “Simboli i Lirisë” është realizuar falë arkivave të RTSH-së, xhirimeve gjatë luftës si dhe janë përdorur materiale tjera të ndryshme që ndërlidhen më jetën dhe veprën e Adem Demaçit.
Një kontribut të madh në realizim të këtij filmi ka dhënë edhe Agjencia e Lajmeve “KosovaPress”, xhirimet e së cilës janë përdorur gjatë dokumentarit.