​Shuarja e Ministrisë Integrimeve dhe bartja në zyrën e kryeministrit shihet si e dobishme

Shuarja e Ministrisë së Integrimeve nga ana e Qeverisë Hoti dhe bartja e saj në zyrën e kryeministrit po shihet si aspekt pozitiv në Kosovë.

Lajme

06/06/2020 14:13

Realizimi i reformave evropiane konsiderohet se përshpejtohet më shumë kur është në kuadër të shefit të ekzekutivit, por dështimi ose suksesi i këtij veprimi do të matet me zbatimin e MSA-së dhe intensifikimin e luftës kundër korrupsionit.

Drejtori i Institutit “Epik”, Demush Shasha thotë për KosovaPress, se shuarja e MI-së nuk është mesazh negativ karshi BE-së, por shton se në Qeverinë Hoti duhet ketë një adresë politike, si njëri prej zëvendëskryeministrave të marrë përsipër integrimet evropiane.

“Nuk mund të themi që është mesazh negativ. Suksesin ose dështimin e shuarjes së Minsitrisë së Integrimit do e kuptojmë në nivelin e përkushtimit politik në reformat Evropiane. Me fjalë të tjera sa do të zbatohet marrëveshja e Stabilizim Asocimit, sa do të intensifikohet lufta kundër korrupsionit të nivelit të lartë. E kërkuar për procesin e liberalizimit të vizave dhe sa do të zbatohen dokumentet sikur agjenda Evropiane e reformave. Pra suksesi ose dështimi i MI-së do e matim me rezultatet në kuadër të këtyre procesve kyçe”, u shpreh Shasha.

Shuarjen e Ministrisë së Integrimeve e mirëpret edhe njohësi i kësaj fushe, Besnik Vasolli, e cila sipas tij, nuk është dashur as të krijohet.

Ai thotë se reformat evropiane më lehtë përshpejtohen kur ato centralizohen në zyrën e kryeministrit.

“Adresa e saktë e procesit të Integrimit është te zyra e kryeministrit. Në parim kjo ministri siç ka qenë nuk është dashur të krijohet as në fillim. Procesi i integrimit nuk është shtyllë vertikale, nuk është një proces i ndarë prej proceseve tjera. Procesi i integrimit duhet të shihet si pjesë përbërëse e krejt punës të qeverisë. Adresa më mirë edhe në këtë rast siç e kemi parë edhe prej shteteve të rajonit, kur është e vendosur në zyrën e kryeministrit”, thotë ai.

Por kundër një vendimi të tillë, u shpreh për KosovaPress, deputetja tashmë opozitare nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, e cila thotë se është në interes të Kosovës që të ketë një ministri të veçantë për Integrime Evropiane.

“Është konsideruar që kjo ministri është tejet e rëndësishme, për këtë arsye e kemi mbajtur si ministri. Kemi bërë modifikimin e ministrive tjera që kanë pasur mundësi të integrohen brenda, mirëpo nuk e kemi konsideruar se reduktimi i Ministrisë, duke e eliminuar komplet Ministrinë e Integrimeve do t’i japin më shumë hapësirë çështjes. Është në interesin e Kosovës që të ketë një ministri të veçantë për Integrime Evropiane që të punojë drejt reformave të caktuara. Mirëpo ne e shohim që kjo qeveri, nuk pritet ndonjë sukses, sido që luajnë këta me ministritë”, thotë ajo.

Ministria e Integrimeve Evropiane në Kosovë është themeluar në vitin 2010.