​Shënohet 25-vjetori i Kushtetutës së Kaçanikut

U shënua sot në Kaçanik 25 vjetori i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me një manifestim të organizuar nën patronazhin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli.

Lajme

07/09/2015 19:20

Në këtë solemnitet me rastin e Ditës së Kushtetutës së Kosovës – 7 Shtatorit, u tha se vitet 90-ta ishin vite të rënda për Kosovën, ku nacionalizmi serb po bëhej gati t’i përgjakte popujt e ish-Jugosllavisë.

Megjithatë, siç u tha, këto vite shënuan historinë, pjesë të pandashme të së cilës janë Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990 dhe Kushtetuta e 7 shtatorit të po atij viti.

Kryeparlamentari Veseli në fjalën e tij të rastit tha se Deklaratën e 2 Korrikut dhe kushtetutën e 7 Shtatorit duhet t’i shohim si momente të rëndësishme në rrjedhën historike të lëvizjes kombëtare për çlirimin e Kosovës.

Këto dy ngjarje, tha Veseli, duhet të shihen si “akte dhe përpjekje guximtare që Kosova të mos përmbysej në greminën e historisë”.

Të pranishëm në manifestimin në Kaçanik ishin kryeministri Isa Mustafa, ministra në Qeverinë e Kosovës, ambasadorë të më shumë vendeve, funksionarët lokalë dhe personalitete të tjera.