Të Infektuar: 55.135

Të Shëruar: 48.572

Të Vdekur: 1.399

​Punëtorët socialë me kërkesa për qeverinë, paralajmërojnë protesta

17:21 | 9 Dhjetor 2020

Sindikata e punëtorëve social dhe kryesisë së lidhjeve të qendrave për punë sociale të Kosovës, kanë shprehur shqetësim për mos përfshirje në pakon mbështetëse të punëtorëve socialë sikurse që ka ndodhur zjarrfikësit dhe një numër të caktuar të stafit administrativ në kuadër të shëndetësisë.

Kryetarja e Sindikatës së punëtorëve socialë, Dashurije Ahmeti ka shprehur shqetësimin e këtyre punëtoreve për mos përfshirje në pakon emergjente, duke e ditur rrezikshmërinë nga pandemia COVID-19.

Ajo ka thënë se përkundër vendimit që zjarrfikësit të paguhen në pandemi, kjo nuk ka ndodhur edhe për punëtorët socialë.

“Sot jemi mbledhur si sindikatë në mënyrë që t’i shprehim shqetësimet e tona dhe brengat tona si punëtorë socialë, sepse të vetmit zyrtarë që nuk e kanë vëmendjen edhe të nivelit lokal, edhe qendror, janë punëtorët që punojnë në qendrat për punë sociale, përkundër rrezikshmërisë së lartë që ne ballafaqohemi çdo dite dhe kategoritë të cilat i mbulojmë edhe në pakon e Qeverisë së Kosovës, nuk janë përfshirë punëtorët socialë…Përkundër vendimit të fundit që e ka marrë kryeministri i vendit, për t’i paguar kolegët tanë në nivelet e tjera, që ka të bëjë me kolegët që janë në institucionin e zjarrfikësve, ndërsa për ne që jemi punëtorë të shërbimit socialë nuk janë marrë vendime konkrete nga institucionet e nivelit lokal dhe qendror”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se kanë formuar edhe këshillin grevist dhe në momentin kur të gjitha kërkesat e sindikatës për mos përfshirje në pako emergjente, hasin në mos-mirëkuptim, do të hyjnë në protestë.

“Kërkesë është që duhet t’i drejtohem tri institucioneve të vendit, në mënyrë që të jemi të përfshirë në pakon emergjente. Do t’i drejtohet Zyrës së kryeministrit, Parlamentit, grupeve parlamentare dhe do të diskutojmë edhe me Asociacionin e komunave të Kosovës dhe grupet e strukturave që janë brenda asociacionit”, ka thënë Ahmeti.

Ndërsa kryetari i Sindikatës së shërbimit civil të Kosovës, Mursel Zymberi ka thënë se kjo kategori kanë vështirësi në punë dhe keqtrajtim nga ana e Qeverisë. Ai thotë se politikanët dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të reflektojnë dhe ta njohin rolin e punëtorit social.

“Nëse pak ndalen dhe kthjellohen politikanët tanë, anëtarë dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe e dinë me cilat kategori merremi ne, duhet të reflektojnë dhe ta njohin rolin e punëtorit social, ta shpërblejë mundin e tyre, sepse punëtori social punon natën, jashtë orarit pa pagesë, punon me pagë minimale”, ka thënë Zymberi.

Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që kërkesat e këtyre të realizohen pasi ato janë të drejta dhe të domosdoshme.

“Në tërësi kërkesat e shërbyesve civilë duhet të realizohen, sepse janë kërkesa të drejta dhe të domosdoshme. Veprimet tona sindikale do të varen nga reflektimi i Qeverisë. Nëse ata do të përmirësojnë gabimet e tyre, atëherë ne jemi për t’iu ndihmuar, sepse shteti është yni”, ka thënë Zymberi.

E kryetari i Lidhjes se Qendrave për Punë Sociale, Mexhid Krasniqi ka thënë se kanë bërë kërkesa të vazhdueshme në institucionet e vendit që pozita e punëtorëve socialë të jetë e dinjitetshme, por deri më tani nuk kanë hasur në përmirësim të pozitës së punëtorëve të këtij sektori.