​Publikohet raporti për nivelin e publikimit të kontratave në prokurim publik

16:27 | 31 Janar 2020

Demokraci Plus publikoi raportin “Niveli i publikimit të kontratave në prokurim publik” pas monitorimit të komunave Obiliq, Shtime, Fushë Kosovë, Kamenicë dhe Podujevë ku janë monitoruar të gjitha kontratat e nënshkruara nga 1 janar deri më 31 tetor 2019.

Gjetjet e Demokraci Plus tregojnë se në përgjithësi niveli i publikimit të kontratave në “e-Prokurim” është i kënaqshëm.

Komuna e Kamenicës dhe Fushë Kosovës kanë përqindjen më të lartë të publikimit me 93%, përkatësisht 95%. Komuna e Shtimes qëndron pak më keq me 85%. Në anën tjetër, Komuna e Obiliqit ka pak më shumë se gjysmën e kontratave të publikuara 55%, ndërsa Komuna e Podujevës për shkak të numrit të madh të kontratave të publikuara pa listë të çmimeve, gjithsej 65 kontrata, e ka nivelin shumë të ulët të publikimit me vetëm rreth 20%.

Sa i përket publikimit në ueb faqe, kur dihet se nuk është i obliguar me ligj, transparenca është më e ulët.

“Komuna e Fushë Kosovës dhe Obiliqit kanë ndryshuar datat e publikimit, duke manipuluar me të dhëna, prandaj një gjë e tillë nuk mund të të konsiderohet si transparencë”, thuhet në komunikatën e Demokraci Plus.

Komuna e Shtimes qëndron pak më dobët me 21% të kontratave të publikuara, por në ueb faqe i publikon shpejtë, kryesisht në ditën e nënshkrimit. Ndërsa, komuna e Podujevës edhe në ueb faqe shumicën e kontratave i ka pa listë të çmimeve, të cilat nuk janë llogaritur si kontratë e publikuar, e si pasojë niveli i publikimit është shumë i ulët, 15%.

Kontratat e pa publikuara, ato që janë të publikuara më shumë vonesë, si dhe ndryshimet e datave të publikimit në dy komuna mund t’ju atribuohen mungesës së komunikimit mes zyrës së prokurimit dhe zyrës së teknologjisë informative.

Mirëpo, publikimi në e-Prokurim është përgjegjësi e zyrës së prokurimit pasi kjo zyrë publikon të gjitha dokumentet tjera në platformë.