O’Connell: Korrupsioni po luftohet në letër
As gjysma e rasteve të dërguara në Prokurorinë e Kosovës, nuk kanë arritur të zgjidhen nga ky organ kompetent. Ky është rezultati që dha sot Instituti i Kosovës për Drejtësi, në raportin vlerësues periodik mbi efikasitetin e sistemit prokurorial në zbatimin e planit të veprimit për rastet e korrupsionit.
Lajme
Ndërsa peng i vërtetë për Prokurorinë e shtetit vazhdojnë të mbeten lëndët e nivelit të lartë, në të cilët janë të përfshirë zyrtarët e vendit.
Sipas këtij raporti, me hyrjen në fuqi të Planit të Veprimit të nxjerr nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, prokuroritë kanë pasur në punë 516 raste të pazgjidhura, ndërsa më 31 mars 2015 kanë mbetur 556 raste të pazgjidhura, numër ky që po rritet.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, duke u bazuar në rezultatet e deri tashme, tha se luftimi i korrupsionit vazhdon të jetë prioritet për institucionet e vendit, por pa rezultate reale. Këtë ai e mbështet në faktin se gjysma e lëndëve të Planit të Veprimit nuk kanë arritur të zgjidhen.
“Të gjithë jemi dëshmitar që Kosova vazhdon të ballafaqohet me probleme serioze në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Luftimi i korrupsionit vazhdon të mbetet prioritet i shpallur nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, por ne po shohim një rezultat i cili flet se sistemi i drejtësisë nuk ka shënuar rezultate të pritura. Këtë po e mbështes së pari në faktin se vetëm gjysma e lëndëve të Planit të Veprimit kanë arritur të zgjidhen, së dyti kemi mungesë të rezultateve të luftimit të korrupsionit në nivel të lartë”, tha O’Connell.
Ndërsa përfaqësuesi i zyrës së Kryeprokurorit të shtetit, Shqipdon Fazliu, tha se korrupsioni është sfidë globale, por se Kosovës nuk i takon të ngushëllohet me këtë fakt, pasi që vendet tjera janë dukshëm më të zhvilluara se Kosova.
“Është fakt se janë një varg çështjesh, sfidash, me të cilat përballet në tërësi sistemi gjyqësor dhe jo vetëm ai prokurorial. Problemet janë evidente dhe as vetë ne nuk jemi të kënaqur me rezultatet e deri tanishme. Sfidën e korrupsionit duhet parë në nivel global për ta kuptuar se nuk është vetëm Kosova ajo që ballafaqohet me këtë sfidë… dhe shtetet tjera janë shumë më të zhvilluara sesa Kosova në të gjitha aspektet… ky nuk është dhe as që duhet të jetë ngushëllim për ne”, tha Fazliu.
Pakënaqësi për rezultatet e këtij raporti shfaqi edhe koordinatorja nacionale kundër korrupsionit në Prokurorinë e vendit, Laura Pula. Ajo tha se luftimi i korrupsionit do të mbetet akoma obligim për sistemin prokurorial të vendit. Sipas saj rezultatet janë të prekshme dhe kjo duhet të jetë inkurajim për punë më të mirë në të ardhmen.
Për Pulën, shqetësim për Prokurorinë vazhdojnë të mbeten lëndët në të cilat janë të përfshirë zyrtarë të lartë të vendit.
“Zbatimi i planit të veprimit në luftimin e korrupsionit ka qenë dhe do të mbetet akoma obligim, për sistemin prokurorial në Republikën e Kosovës … duke siguruar të gjithë se zbatimi i ligjit do të bëhet pa pardon dhe në mënyrë të drejtë, për të siguruar një ambient ku sundon vetëm ligji dhe askush nuk është mbi ligjin. Kemi rezultate të prekshme të cilat na inkurajojnë që të vazhdojmë punën tonë të përbashkët me të gjithë prokurorët dhe kryeprokurorët. Shqetësuese janë gjithmonë lëndët e nivelit të lartë”, tha Pula.
Për të evituar këto probleme, sipas përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë së Kosovës, duhet bashkëpunim më i ngushtë mes OJQ-ve dhe institucioneve të drejtësisë, të cilët janë të vetmit për të zgjidhur këto çështje.