​Një muaj paraburgim për tentim-vrasje

Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit F.L, për shkak të dyshimit të bazuar se më datë 10.10.2020, rreth orës 12:15, në Pejë, me dashje e për motive ende të panjohura, ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin M.A.

Lajme

29/10/2020 11:49

“Mënyrë që me t’u takuar me të papritmas nga brezi nxjerr revolen dhe shtie në drejtim të viktimës duke i shkaktuar lëndime serioze si dhe duke shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve të tjerë ashtu që përveç të dëmtuarit M.A, me një predhë ka goditur edhe një kalimtar të rastit të cilit i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore me pasoja për jetën”, thuhet nw njoftimin e Gjykatës Themelore në Pejë.

Me këto veprime i pandehuri F.L dyshohet se ka kryer veprat penale vrasje në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve.

Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se i njëjti i ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet dhe se gjatë procedurës do të dëgjohen dëshmitarët ashtu që me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri ekziston rreziku se i njëjti mund të ndikojë në drejtim të ndryshimit të deklaratave të tyre e me këtë të pengohet rrjedha normale e procedurës. Gjithashtu, gjykata caktimin e masës së paraburgimit e arsyeton me peshën e veprave të kryera penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprave penale për shkak se veprat për të cilat dyshohet i pandehuri janë kryer në mes të ditës në një vend të frekuentuar nga qytetarët. Gjykata vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë mirëpo, vlerësoi se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.