​Ngritja e Autoritetit për hapjen e Dosjeve, pritet nisja e procesit

Zgjedhja e kryetarit dhe anëtarëve të Autoritetit për Informimin për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit i hap rrugën konstituimit të këtij institucioni në Shqipëri, që do të jetë përgjegjës për zbatimin e ligjit “për hapjen e dosjeve”.

Lajme

25/11/2016 16:56

Një vit e gjysmë pas miratimit nga parlamenti të këtij ligji pritet të kurorëzohet dhe procesi i shumëpritur i ‘dosjeve të ish-Sigurimit’, të cilat do të ofrohen vetëm për qëllime studimi dhe jo për lustracion. Ligji i miratuar në parlament më 30 prill 2015, vetëm me votat e mazhorancës së majtë, ka në themel të drejtën për informim për dosjet e ish-Sigurimit dhe parashikon një mekanizëm lustracioni minimal dhe jo të detyrueshëm.

Referencë e tij është eksperienca gjermane si një nga modelet më mira, që mund të garantonin një proces transparent dhe në respekt të parimeve kushtetuese dhe standarteve evropiane në këtë fushë.  Shqipëria i ka hedhur hapat e para në drejtim të hapjes së dosjeve në vitin 1995, vit kur Partia Demokratike, atëhere në pushtet, adaptoi ligjin e zbatuar në Çeki, një tjetër vend post-komunist.

Në bazë të këtij ligji, u ngrit një komision që bëri një punë serioze për sa i përket verifikimit të figurave.Një tjetër nismë e ngjashme u miratua mes debatesh në parlamentin shqiptar më 22 dhjetor 2008, vetëm me votat e maxhorancës se djathtë, ndërsa u kundërshtua fort nga opozita e majtë, e cila e konsideroi projektin antikushtetues, duke e ankimuar në Gjykatë Kushtetuese.

Më 16 shkurt 2009 Kushtetuesja vendosi pezullimin e zbatimit të ligjit të mësipërm, duke çmuar se kjo mund të sillte pasoja në funksionimin normal të shtetit të së drejtës, si dhe cënimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit.

Sipas statistikave, diktatura komuniste vrau si kundërshtarë politikë 5500 persona, burgosi rreth 30 mijë vetë për motive politike, internoi rreth 60 mijë persona.

Diktatura vrau dhe burgosi 310 klerikë dhe besimtarë dhe shkatërroi 220 institucione fetare. Përveç vendasve, diktatura komuniste pushkatoi 95 shqiptarë të Kosovës, dhe 64 shtetas të huaj, si dhe burgosi 1 mijë e 250 persona me kombësi joshqiptare, mes të cilave 38 zonja nga shtete të tjerë.