Të Infektuar: 39.057

Të Shëruar: 24.427

Të Vdekur: 1.005

​MKRS e nderon Luan Dakën me çmimin për veprën kombëtar jetësore

13:01 | 2 Tetor 2020

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, çmimin për veprën kombëtare jetësore e ka ndarë për aktorin dhe regjisorin, Luan Daka. Në një ceremoni solemne u ndan edhe çmimet vjetore për teatër.

Çmimi për shfaqjen më të mirë e mori shfaqja “Erveheja” e Drita Begollit. Çmimin vjetor për regjinë më të mirë e mori regjisorja, Elmaze Nura. Në këtë ceremoni u nda edhe çmimi për aktorin më të mirë të vitit, të cilin e mori aktori, Ardian Morina për interpretimin e tij në shfaqjen “Unë jam vetë grua”.

Ministria e Kulturës çmimin për produksionin teatror e ndau për qendrën “Multimedia”.

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Engelbert Zefi i ka ndarë këto çmime, pasi që ministrja, Vlora Dumoshi ndodhet në Tiranë, ku po mbahet mbledhja e dy qeverive.

Kumtimin e çmimeve e bëri kryetarja e jurisë, Marigona Bekteshi e cila tha se këto çmime janë ndarë nga një juri profesionale.

Bekteshi: Çmimi për veprën jetësore ndahet për Luan Daka

“Çmimi për veprën jetësore ndahet për Luan Daka…Ky çmim i ndahet artistit Daka duke u bazuar në kreativitetin e thellë inovacionin dhe origjinalitetin që ai përcakton në fushën e artit dramatik, si në teatër, radio dhe televizion. Në rrafshin artistik është autor i teksteve skenike, regjisor i shfaqjeve, regjisor i radiodramave, aktor i suksesshëm regjisor i teatrit dhe filmit, ekspert në fushën teatrore dhe filmike”, tha ajo.

Fituesi i çmimit për veprën jetësore për vitin 2019, Luan Daka tha se vitet e fundit artistët kanë dëshmuar vlerat artistike brenda dhe jashtë Kosovës.

Derisa falënderoi për çmimin me të cilin sot u nderua, Daka tha se suksesi i artistëve është i pamundur pa përkrahjen profesionale dhe morale.

Daka: Artistët janë dëshmuar me vlera artistike brenda dhe jashtë Kosovës

“Artistët janë të ndjeshëm si fëmijët me kalim të viteve bëhen edhe më të ndjeshëm. Këto vitet e fundit artistët janë dëshmuar me vlera të shkëlqyera artistike si brenda ashtu edhe jashtë kjo a bënë krenar të gjithë por kjo nuk mund të arrihet pa përkrahjen absolute financiare e morale profesional të ministrisë së Kulturës”, tha Daka.

Drita Begolli e cila mori çmimin për shfaqjen më të mirë të vitit u shpreh e lumtur që pas 40 viteve karrierë po nderohet puna dhe vepra e saj.

Begolli: Çmimet janë të rëndësishme për një krijues

“Çmimet gjithmonë janë të rëndësishme për jetën e njeriut e veçanërisht për një krijues në këto momente më keni bërë më të lumtur dhe e keni begatuar jetën time dhe familjes time”, u shpreh Begolli.

Fituesja e çmimit si regjisorja e vitit, Elmaze Nura tha se ndihet mirë ku puna e saj vlerësohet nga shteti.

Nura: Është nder të vlerësohem nga shteti im

“Të vlerësohesh nga shteti yt,të vlerësohesh nga artistët tanë nga kolegët tuaj është një nder i veçantë dhe emocion i veçantë“, tha ajo. /kp/