​Mbahet takimi i Komisionit të përgjithshëm për ekonomi i AP të SEECP

18:31 | 13 Qershor 2021

Sot në Prishtinë u mbajt takimi virtual i Komisionit të Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji i Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), me temën “Sfidat ekonomike dhe mundësitë në vendet e EJL-së pas COVID-19”.

Takimi u drejtua nga deputetja e Kuvendit të Kosovës, Jeta Statovci, njëherësh anëtare dhe kryesuese e Komisionit të Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji të AP të SEECP-së.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se pandemia COVID‐19 është definuar si krizë globale e shëndetit dhe sfida më e madhe me të cilën po përballet bota që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Ajo nuk rrezikon vetëm shëndetin tonë, por ka goditur fuqishëm edhe ekonomitë e çdo vendi, duke sjellë me vete tronditjen e tretë dhe më të madhe ekonomike e financiare të shekullit 21”, ka thënë ajo.

Rizvanolli ka thënë se prioritet i Qeverisë së Kosovës është finalizimi i Strategjisë Kombëtare të Energjisë dhe i Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë, rritja e zhvillimit ekonomik, bashkëpunimi me vendet e rajonit etj.

“Konsideroj që bashkëpunimi regjional do të ketë rol shumë të rëndësishëm drejt rimëkëmbjes ekonomike e këtij tranzicioni si në vendin tonë, dhe përtej”, u shpreh ajo.

Drejtoresha menaxhuese e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Nora Hasani, prezantoi rezultatet e anketës vjetore të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë Gjermane mbi “Sfidat dhe mundësitë ekonomike në vendet e Evropës Juglindore (EJL) pas Covid-19“, duke krahasuar kështu ekonomitë e 16 shteteve pjesëmarrëse të EJL.

Po ashtu, edhe Umut Ergezer, prezantoi strategjinë “Zhvillimi i Qëndrueshëm ekonomik rajonal dhe roli i parlamenteve”, në kontekstin të Strategjisë 2030 për Evropën Juglindore (EJL).

Në këtë takim anëtarja dhe kryesuesja e Komisionit të Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji të AP të SEECP-së, Jeta Statovci, ka prezantuar draft-raportin në lidhje me temën e takimit, për të cilën më pas kanë diskutuar edhe përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse.

Draft-raporti dhe draft-rezoluta u mirëpritën nga delegacionet pjesëmarrëse, por në mungesë të kuorumit, nuk u arrit të miratohen. Të njëjtat do të procedohen në takimet tjera të Asamblesë, në kuadër të Sesionit Plenar, që do të mbahet nga 21-23 qershor në Antalia, Turqi.

Përveç Kosovës, në këtë konferencë morën pjesë edhe delegacionet nga Shqipëria, Turqia, Sllovenia, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia Veriore, Mali i Zi dhe Kroacia.