​LDK: Shpend Ahmetit i ka humbur busulla dhe dinjiteti qeverisës

Grupi i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Prishtinës konsideron se kryetarit të komunës Shpend Ahmetit “i ka humbur busulla dhe dinjiteti qeverisës dhe nuk po e di se kujt po i shërben, zyrave të VV që po thërrasin për demonstrata të dhunshme në kryeqytet, a komisarëve politikë që me direktiva nga lart s’po e lënë të marrë pjesë në mbledhjet e Kuvendit të Prishtinës, edhe kur në rend dite është buxheti i propozuar nga ai vetë”.

Lajme

01/10/2015 18:59

“Vetëm një kryetar i dështuar dhe i kapur nga ideologjia me ultimatume të rrezikshme ndaj shtetit, mund të veprojë kështu që, në vend se të jetë pjesë e debatit për buxhetin e kryeqytetit, bëhet pjesë e konferencave të organizuara në rrugë, bëhet pjesë e një propagande kundër demokracisë dhe shtetit të Kosovës, si simbolika më e keqe e ikjes nga normat elementare të demokracisë dhe kërkesave për mirëqenie të qytetarëve të kryeqytetit.

Grupi i LDK-së në Kuvendin e Prishtinës konsideron se aprovimi i buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2016, jo vetëm që është obligim ligjor i Kuvendit të kryeqytetit, por ai duhet të jetë në favor të qytetarëve të kryeqytetit.

Grupi konsideron se ishte për keqardhje, kur në kohën e debatit për buxhetin 2016, kur në sallë debatohej nga anëtarët e 6 partive politike, LDK, PDK, AKR, LIB, PD, PF, pikërisht për buxhetin, isht e kryetari i komunës z. Shpend Ahmeti, ai që po përpiqej të plasonte te mediat, në oborrin e komunës, kinse pamundësinë për të qëndruar në mbledhje, pa qenë fare në të.

Grupi konsideron se Kuvendi do t’i aprovojë me votë parlamentare, të gjitha ato pika dhe politika që i orohen për debat dhe për aprovim në të mirë të qytetarëve të Prishtinës”, thuhet në komunikatën e sotme të Grupit të LDK-së në Kuvendin e Prishtinës.