​Kurti: PE të vazhdojë t’u bëjë thirrje pesë vendeve të BE-së që ta njohin Kosovën

21:23 | 7 Dhjetor 2021

Kryeministri Albin Kurti është takuar sot në Bruksel me presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli, me të cilin ka biseduar për reformat dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe për angazhimin e Qeverisë në përmbushjen e agjendës së reformave evropiane që e afrojnë Kosovën me BE-në.

“Në njërën anë legjitimiteti dhe besueshmëria e lartë ndaj institucioneve dhe në anën tjetër ekzekutimi i Pakos së Ringjalljes së Ekonomisë ka ndikuar po ashtu në rritjen ekonomike në vend bashkë me rritjen e eksportit, investimeve direkte dhe të hyrave tatimore”, tha Kurti.

Ai tha se i është mirënjohës rolit avokues dhe qëndrimit pozitiv të Parlamentit Evropian në lidhje me heqjen e vizave për Kosovën dhe monitorimin e zgjedhjeve në Kosovë si dhe shprehu kërkesën që Parlamenti Evropian të vazhdojë edhe më tej thirrjen për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesë shtetet mos njohëse.

Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia e Qipro janë pesë vendet e Bashkimit Evropian që vazhdojnë të hezitojnë të njohin realitetin e ri të krijuar në Kosovë.