​Komunitetet në Kosovë, probleme me tekstet shkollore

Këshill Konsultativ për Komunitete ka mbajtur mbledhjen e parë për këtë vit, ku u diskutua për aktivitetet që grupet punuese të këtij Këshilli kanë zhvilluar në këtë fillim vit.

Lajme

28/01/2016 17:40

Kryesuesi i Këshillit, Darko Dimitrijeviq, tha se problemet e komuniteteve janë të mëdha, veçanërisht me tekstet shkollore dhe me sigurinë e komunitetit serb.

Dimitrijeviq njoftoi se në mbledhjen e sotme u diskutua edhe për programin legjislativ për vitin 2016.

“Kemi probleme të shumta, e ato janë problemet me tekstet mësimore. Komuniteti serb ka probleme edhe me sigurinë, janë edhe probleme tjera që i paraqesin përfaqësues të komuniteteve të përfaqësuara në Këshill, të cilat ne mundohemi t’i trajtojmë dhe i adresojmë me anë të rekomandimeve”, tha ai.

Dimitrijeviq, tha se i njoftoi anëtarët e Këshillit lidhur me pjesëmarrjen e tij në takimin “Dialogu për procesin e stabilizimit dhe asociimit në fushën për drejtësi, liri dhe siguri”, mes zyrtarëve të autoriteteve të Kosovës dhe të BE-së.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit, që ishte e para për këtë vit, grupet punuese paraqitën aktivitetet që kanë zhvilluar gjatë këtij muaji./kp