​KFOR-i mban stërvitjen Shpata e argjendtë 2021

16:34 | 20 Shtator 2021

KFOR-i në bashkëpunim me institucionet kosovare të sigurisë do të mbajë stërvitjen e saj vjetore “Shpata e argjendtë – Silver Sabre” nga 20 deri më 23 shtator, në zonën e trajnimit të fushës ajrore në Gjakovë dhe në objektin e fabrikës Ereniku.

Në një komunikatë për media thuhet se komunitetet lokale mund të shohin një rritje të qarkullimit të automjeteve ushtarake dhe civile, përfshirë automjetet e rënda dhe makineritë lëvizëse, të cilat do të përdoren për të krijuar skenarin e stërvitjes. Të gjitha masat e nevojshme do të vendosen për të zbutur çdo shqetësim që mund t’i shkaktohet popullatës.

Stërvitja do të shfaqë një operacion të reagimit emergjent në shkallë të gjerë, ku përfaqësuesit e Policisë së Kosovës, Kryqit të Kuq, Forcave të Sigurisë së Kosovës, Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave dhe komunës së Gjakovës, do të testohen – me mbështetjen e personelit të KFOR-it, në përpjekjet e tyre për të shpëtuar jetë, të lehtësojë shqetësimin e popullsisë vendase të prekur nga fatkeqësia natyrore, të ruajë sigurinë, të ruajë funksionimin e shërbimeve thelbësore dhe të përgatitet për rivendosjen e situatës normale.

KFOR-i është përfshirë në serinë e ushtrimeve Silver Sabre që nga viti 2012, me qëllim të trajnimit të institucioneve kosovare të sigurisë dhe ndihmesës së tyre në zhvillimin e kapaciteteve të nevojshme për të trajtuar emergjencat natyrore.

Stërvitja Silver Sabre do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të kapacitetit të planifikimit dhe koordinimit të institucioneve kosovare të sigurisë në këtë fushë.

Një “Ditë e Vizitorëve të Shquar” do të mbahet më 23 shtator në trajnimin në terrenin ajror të Gjakovës.