​‘Hakmarrja e Putinit’, Rusia shkatërron qindra ton me ushqime perëndimore

Zyrtarët rusë të premten shkatërruan qindra ton me fruta perëndimore kontrabandë.

Bota

08/08/2015 19:01

Autoritetet filluan t’i hidhnin në plehra të enjten, pasi Presidenti Vladimir Putin urdhëroi shkatërrimin e ushqimeve të sjella në shkelje të embargos një vjeçare të imponuar në hakmarrje të sanksioneve perëndimore gjatë konfliktit me Ukrainën.

Vendimi për eliminimin e ushqimeve shkaktoi një zemërim të madh publik ndërsa më shumë se 300 mijë persona firmosën një peticion për t’i kërkuar zyrtarëve që t’ia jepnin ushqimin të varfërve në kombin e goditur nga kriza.

Agjencia ruse e sigurisë ushqimore tha se kishte shkatërruar rreth 180 ton fruta përfshi pjeshkë, nektarina, qershi dhe rrush që kaluan kufirin nga Bjellorusia.

40 tonë të tjera me fruta u sekuestruan dhe u shkatërruan në një landfill afër kufirit, tha agjencia në një deklaratë, transmeton OraNews.

Rreth 319 ton të tjera me ushqime u shkatërruan të enjten përfshi, mishin e ardhur nga Italia, i cili u dogj në vend-grumbullimin e mbeturinave në aeroportin e Shën Peterburgut.

Rusia është ankuar vazhdimisht se disa importues kanë shkelur ligjin duke i ndërruar etiketat ushqimeve dhe duke pretenduar se ato janë prodhuar në vendet fqinje ish-sovjetike.