Të Infektuar: 8799

Të Shëruar: 4027

Të Vdekur: 249

​Haki Abazi ‘vjell vrer’ kundër Qeverisë Hoti: Janë një grumbull i qyqarëve

20:42 | 12 Korrik 2020

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Haki Abazi ka reaguar pas paralajmërimit të masave të reja shtrënguese për luftimin e përhapjes së koronavirusit, në kohën kur vendi po përballet me rritje të rasteve të reja.

Në një postim në Facebook, Abazi shkruan se Qeveria Hoti është ilegjitime dhe se me paralajmërimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, ajo është vënë në shërbim të presidentit Hashim Thaçi, i cili kishte kërkuar një gjë të tillë në muajin mars.

“Qytetarët duhet të marrin masa rigoroze ndaj qeverisë Koti që është e paaftë, jo legjitime, kuislingë dhe servile. “Të pabesit nuk i zihet besë”. Këta janë një grumbull i qyqarëve që me gënjeshtra e kanë rrëzuar qeverinë, me pafytyrësi po bëjnë të kundërtën e asaj çfarë kanë premtuar dhe tani duke tentuar të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme, gjithë qeverinë e kanë kthyer në shërbim të Thaçit. Njëherë servil, gjithmonë servil”, ka shkruar Abazi.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar ndalimin e tubimeve publike, riteve fetare dhe dënime për të gjithë ata që shkelin masat antiCOVID-19.

Kosova ka 4715 raste me koronavirus, prej tyre 2227 të shëruar dhe 101 të vdekur.

Rezultatet e 24 orëve të fundit do të publikohen sonte më vonë nga IKSHPK-ja.