Të Infektuar: 4931

Të Shëruar: 2267

Të Vdekur: 102

​GAP: Komunat do të dalin nga pandemia të dëmtuara në të hyra vetanake

11:23 | 31 Maj 2020

Instituti GAP ka publikuar raportin rreth ndikimit të pandemisë Covid-19 në pushtetin lokal, ku thuhet se ndërmarrja e masave për frenimin e pandemisë COVID-19 ka ndikuar në dinamikën e punës në të gjitha komunat e Kosovës.

Sipas GAP, pushteti lokal ka luajtur rol aktiv në ndërmarrjen e masave në parandalimin e përhapjes së virusit.

“Të gjitha komunat e Kosovës kanë aktivizuar shtabet lokale të krizave dhe kanë krijuar grupet operative në terren. Përveç këtyre masave, komunat janë koordinuar në vazhdimësi për vendimet dhe masat e ndërmarra nga niveli qendror. Ky koordinim ka qenë i plotë edhe efikas. Në të gjitha komunat, të hyrat komunale gjatë gjysmës së dytë të muajit mars 2020 dhe në muajin prill kanë shënuar rënie prej 45% deri 90%. Gjatë këtyre dy muajve, të gjitha komunat kanë arkëtuar 5.8 milionë euro të hyra, apo rreth 9.3 milionë euro më pak krahasur me muajt e njëjtë të vitit të kaluar (2019)”, thuhet në njoftim.

“Komunat do të dalin të dëmtuara në të hyra vetanake veçmas nga kategoria e tatimit në pronë, nga gjobat policore në rrugët lokale, nga vendimet e gjykatave dhe nga shfrytëzimi i hapësirave publike nga ana e gastronomisë. Një pjesë e komunave kanë aprovuar pako ekonomike ku kanë paraparë faljen e shumicës së pagesave që janë planifikuar të bëhen në 2020 nga bizneset. Edhe gjobat në trafik kanë rënë për 90%. Përveç të hyrave vetanake, komunat nuk do të arrijnë t’i përmbushin as planet e parapara në fushën e investimeve kapitale. Nga hulumtimi i zhvilluar në 16 komuna, ka dalur që janë së paku 124 projekte kapitale që do të shtyhen si pasojë e gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19”, thuhet në komunikatën e GAP, ku theksohet se kjo gjendje ka ndikuar edhe në rënien e numrit të të punësuarëve”

Sipas të dhënave të Fondit të Kursimeve Pensionale, në prill 2020 ka më pak kontributpagues nga secila komunë krahasuar me muajin dhjetor 2019. /Lajmi.net/