​Gabimet njerëzore janë ato që shkaktuan përplasjen e trenave në Gjermani

Mediat gjermane duke cituar burime të afërta me hetuesinë, raportojnë se gabimet njerëzore kanë çuar deri tek aksidenti fatal, ku u përplasën dy trena, në qytetin gjerman, Bad Aibling.

Bota

09/02/2016 22:50

Sipas “Euronews”, personi përgjegjës për sinjalizim kishte shkyqyr nga funksioni sistemin automatik për evitimin e përplasjeve. Sistemi i njohur si “PZB 90” ishte instaluar për të gjitha hekurudhat gjermane pas një përplasje të trenave në vitin 2011, transmeton KosovaPress.

Ky sistem parashihej të frenonte trenat në rast të një sinjalizimi të gabuar.

Autoritetet gjermane thanë se 10 persona humbën jetën në përplasjen e sotme të trenave. Në mesin e të vdekurve kanë mbetur edhe dy drejtuesit e trenave dhe inspektorët për kontrollimin e biletave.

Policia njofton se një person konsiderohet ende i zhdukur, për të cilin supozohet të jetë i vdekur.

Ndërsa, të lënduar kanë mbetur 81 persona, tetë prej të cilëve kanë marrë lëndime serioze.