​Çollaku: MSA-ja hap i rëndësishëm në rrugën e anëtarësimit të Kosovës në BE

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), përkrah anëtarësimin e plotë të Kosovës në BE. Kjo marrëveshje, që nënkupton vendosje të themelit kontraktual mes Kosovës dhe BE-së e që pritet të nënshkruhet brenda këtij viti, sipas përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, është sukses tejet i madh që do t’i sjell dobi dhe përfitime Kosovës dhe do ta afroj atë edhe më tepër me BE-në.

Lajme

25/06/2015 15:52

“Në prill të këtij viti Komisioni Evropian e ka miratuar vendimin për MSA-në dhe e ka dërguar atë në Këshill, ku pritet që së shpejti të merret vendimi për nënshkrimin e saj. Përveç benifiteve që do t’i sjell në çështjet tregtare, politikat e bashkëpunimit dhe të tjera, kjo marrëveshje i garanton Kosovës anëtarësim në BE gjatë viteve të ardhshme, gjë që na bënë të angazhohemi maksimalisht që kjo rrugë të jetë sa më e shkurtër”, ka thënë ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku për KosovaPress.

Lidhur me agjendën evropiane, ministri Çollaku ka shtuar se gjatë pjesës së parë të këtij viti, Ministria e Integrimit është angazhuar në çuarjen përpara të proceseve prioritare që dalin nga kjo agjendë e sidomos në avancimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian në nivel kontraktual, pra përmes arritjes së MSA-së dhe përfundimit të dialogut me BE-në për liberalizimit e vizave për qytetarët e Kosovës. Vetëm për përgatitjen e Programit Kombëtar për zbatim të MSA-së, ai thotë se janë koordinuar me mbi 30 grupe punuese.

“Kjo periudhë është karakterizuar po ashtu me një angazhim të madh diplomatik në sigurimin e përkrahjes të institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare për agjendën evropiane të Republikës së Kosovës”, thotë Çollaku.

Sipas tij, veprime janë ndërmarrë edhe në parandalimin e faktorëve shtytës të migrimit të parregullt, si një prej sfidave me të cilën u përball qeveria e re e Kosovës në fillim të këtij viti e që lidhet ngushtë me procesin e liberalizimit të vizave.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Integrimit Evropian, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë riatdhesuar 8 mijë e 200 qytetarët të Kosovës, shifër kjo rreth 100 për qind më e madhe se sa riatdhesimi që ndodhi gjatë tërë vitit që shkoi. Po ashtu thuhet të jetë aprovuar edhe Programi për Riintegrim, me fokus në riintegrimin e qëndrueshëm, si dhe janë bërë fushata senzibiliuese lidhur me migrimin e parregullt.

Kurse sa i përket përmbushjes së kritereve teknike për liberalizim të vizave, ministri Çollaku potencoi se gjatë këtij gjashtëmujori janë miratuar një pako prej 9 ligjeve që ndërlidhen me liberalizimin e vizave. “Në saje të përmbushjes së kritereve, në fillim të qershorit i kemi dorëzuar Komisionit Evropian raportin e fundit gjithëpërfshirës që do të shërbej si bazë për një mision vlerësues nga ana e BE-së që do të realizohet gjatë muajit korrik”, thotë Çollaku.

Ai kujton edhe përgatitjen e Ligjit për Përgjimin e Komunikimeve Elektronike, i cili është miratuar në maj të këtij viti nga Kuvendi i Kosovës.

Gjatë kësaj periudhe kjo ministri kishte zhvilluar disa takime edhe në kuadër të dialogut për reformat gjithëpërfshirëse ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Komisionit Evropian, po ashtu është angazhuar në koordinimin e asistencës së BE-së duke bërë programimin e fondeve të Instrumentit të Para Anëtarësimit në vlerë prej afro 80 milion euro në sektorët e sundimit të ligjit, energjisë dhe bujqësisë.

Në kuadër të përgatitjeve për fondet e BE-së në vlerë prej 1 miliard euro për bashkë-financimin e projekteve rajonale infrastrukturore, Çollaku thotë se kanë nisur edhe përgatitjen e Listës Prioritare të Projekteve infrastrukturore.

Nga të dhënat e MIE-së, del se gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, në këtë ministri janë kontrolluar

46 ligje të përgatitura nga ministritë e linjës për përputhshmëri me legjislacionin e BE-së.